Octopus: Rusia shfrytëzon grupet e djathta ekstreme në Serbi për të rritur ndikimin në Ballkan

Një raport i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Octopus, me seli në Prishtinë, vlerëson se Rusia po shfrytëzon grupet e djathta ekstreme në Serbi për të shtuar ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.

Taulant Elshani, hulumtues i lartë në këtë institut tha se Serbia u ofron grupeve të tilla mbështetje financiare, infrastrukturore e mediatike për të shpërndarë përmbajtje propagandistike.

“Lidhjet politike, historike dhe kulturore si dhe interesat aktuale gjeopolitike e gjeostrategjike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë shërbejnë si boshti kurrizor rreth të cilit këto organizata djathtiste ekstremiste gravitojnë. Ky bosht pra shërben si ombrellë për këta eksponentë duke i financuar, mirëmbajtur veprimtaritë e tyre për të minuar dhe dëmtuar besueshmërinë e shteteve demokratike”, tha ai.

Veprimtaritë kryesore të këtyre grupeve sipas hulumtimit janë përhapja e gënjeshtrave, konfuzionit në rrjete sociale, përshkrimet e rrejshme për zona të ndryshme me peshë historike e religjioze, diskreditimi i udhëheqësve politikë, nxitja e urrejtjes por edhe e dhunës.