Të shtëna me armë në një hotel në Prishtinë, një i vdekur


Një person ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se ngjarja ka ndodhur në një hotel lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ndërsa dy persona tjerë janë lënduar nga goditjet me një mjet të mprehtë.

Viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar (dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Sipas saj, aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.