Rama: Kurti ka mbështetjen time të plotë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi Tiranën për të diskutuar për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Në takimin me kryeministrin Edi Rama, Kurti ka diskutuar për ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të marrëveshjes. Rama ka shkruar në rrjetet sociale se mbështet Kurtin në hapat që do të marrë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa njofton se në muajin qershor do të ketë sërish një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, tha Edi Rama, kryeministër.

Paraprakisht, kryeministri I Kosovës Albin Kurt u prit nga presidenti I Shqipërisë, Bajram Begaj. Në një deklaratë nga zyra e Presidencës thuhet se kreu i lartë i shtetit vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Takimi tjetër ishte me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla. Kryeparlamentarja shqiptare përgëzoi Kurtin për punët e mira që po bën qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe SHBA për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.