Presidenti rus Putin viziton Mariupolin


Për herë të parë nga fillimi i luftës, presidenti rus Vlladimir Putin vizitoi territoret e okupuara të Ukrainës. Ai zbarkoi në qytetin e rrënuar të Mariupolit, ku u zhvilluan luftime të ashpra dhe me pushtimin e fabrikës së çelikut, ky rajon ka qenë plotësisht nën kontrollin rus që nga maji i kaluar. Putin publikoi gjithashtu video të tij duke përshëndetur banorët vendas kurse Kremlini informoi se vizita ishte spontane. Sipas njoftimit, Putin ka shqyrtuar edhe planin për rindërtimin e qytetit.

Zyrtarët ukrainas shkruajtën në mediat sociale se “me siguri” krimineli ndërkombëtar i luftës Putin e vizitoi Mariupolin natën për të mos parë qytetin të vrarë nga gjoja çlirimi i tij”. Anton Gerashçenko, këshilltari i ministrit të brendshëm të Ukrainës, postoi në Twitter një foto të Hitlerit duke vizituar Mariupolin gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Edhe një diktator tjetër e vizitoi Mariupolin një herë. Ne e dimë se si përfundoi historia e tij. “Shumë historianë pretendojnë se Hitleri e kuptoi këtu se po e humbiste luftën”, shkruan Gerashçenko.

Ndryshe, vizita e Putinit vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi ​​urdhërarrest për presidentin rus me dyshimin për deportim të paligjshëm të njerëzve nga Ukraina në Rusi. Më parë, Kievi pretendonte se pikërisht nga Mariupoli mijëra njerëz janë dëbuar me forcë në Rusi. Kremlini tha se akuzat e gjykatës në Hagë janë të pakuptimta dhe skandaloze dhe theksoi se nuk e njohin juridiksionin e kësaj gjykate. Ndërkohë, autoritetet në Berlin theksuan se do ta respektojnë vendimin dhe se Putini do të arrestohet nëse shkel në territorin gjerman.