Tashmë prej kohësh zërat e ngjirur të Europës plakë në unison të plotë me Beogradin po i shurdhojnë veshët udhëheqjes së Kosovës që të pranojë të nënshkruajnë fundin e saj përmes miratimit të ‘Zaednicës’.
Nga ana tjetër baronët e Europës plakë nuk i bëjnë presion Serbisë gjenocidiale të kërkojë falje dhe të fshij nga preambula e kushtetutës së tyre Kosovën si pjesë të saj. Aq më tepër, përse u dashka që Kosova të sakrifikoj pjesë nga sovraniteti i saj për t’i kënaqur orekset hegjemoniste të Serbisë?
Duket sheshit se baronët e Europës shtrigë nuk ndryshojnë nga qëndrimet dhe veprimet me paraardhësit e tyre të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës ndaj çështjes shqiptare!
Baronët e Europës plakë duan të zhvatin edhe më tej territore nga Kosova si shtet sovran, përmes sajesave si ‘Zaednica’, por kur duhet zbatuar reciprocitet për shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë se paraqet rrezik të zgjimit të kërkesave të shqiptarëve të ‘Severnës’ për më shumë të drejta kombëtare, kërkesa këto që nuk i kontribuojnë paqës dhe stabilitetit në rajon, thonë ata.
Kosovës i kërkohet të bëj kompromise pa fund si mall pazot në ekonominë e tregut, ku pjesë të territorit të saj do të kontrollohen nga Beogradi përmes sajesës ‘Zaednica’ që nuk është tjetër veç një republikë serbe brenda Republikës së Kosovës.
Këta janë ‘miqtë tanë’ që e kanë njohur pavarësinë e saj, por që së fundmi janë penduar dhe se për ta zhbërë Pavarësinë dhe sovranitetin e saj, stisën ‘Zaednicën’ si hap i parë i cënimit të sovranitetit dhe humbjes së kontrollit përmes shpalljes së ‘Repblika Srpska’ brenda Kosovës.
Kjo është ‘diagnoza’ që i kanë përcaktuar baronët e Europës plakë për Kosovën, si shërim për shëndetin dhe të ardhmen e saj, duke ia rekomanduar ‘Zaednicën’ si ilaç me efekt të kundërt si kancer që do ta drobis shumë shpejt trupin e shëndoshë të Kosovës kreshnike.
Kjo formë e përgjigjes përmes gjuhës së popullit ndaj baronëve të Europës shtrigë, nuk është gjuhë e diplomacisë, por është e vetmja gjuhë që ata e kuptojnë shumë mirë. Medai Shaholli