Sipas një sondazhi të “Institutit për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi”, i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, del se Ali Ahmeti (BDI) është politikani më i popullarizuar tek elektorati shqiptar, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive.

Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit”, është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive.

30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër. ASh’ja renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.

Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%.

Sondazhi i IPP (Instituti për Politika Publike) Arbën Xhaferi, i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, tregon për një mbështetje shumë të fortë për Ukrainën dhe perceptim negativ të Rusisë, pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, mbështetje të fortë për ndryshimet kushtetuese dhe statusin bashkëzyrtar të gjuhës shqipe, si dhe për lëvizje serioze në skenën politike.

Një sondazh i ri i Institutit për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi ka matur opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në tema relevante politike.
Ky sondazh unik shikon në mënyrë specifike perceptimet e shqiptarëve për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, si dhe mbështetjen për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, sondazhi mat qëndrimet e shqiptarëve ndaj liderëve politikë dhe mbështetjen ndaj partive politike, duke përfshirë edhe fraksionet brenda tyre.

Mesazhet kryesore

Kur pyeten se kush është fajtori për luftën Rusi-Ukrainë, dy të tretat e të anketuarve (64%) indentifikojnë Rusinë. Vetëm 2.7% e fajësojnë Ukrainën. Shqiptarët dëshmojnë mbështetje të qartë për Ukrainën (67.8%), me vetëm 4% që mbështesin Rusinë.
Kur bëhet fjalë për aleatët strategjikë të Maqedonisë së Veriut, gjysma e të anketuarve përmendin BE-në (49.7%) dhe SHBA-në (49.1%). Turqia renditet e treta, e përmendur nga 11.4% e të anketuarve. Rusia dhe Kina nuk janë të popullarizuara në mesin e shqiptarëve, me vetëm 0.2% e të anketuarve që i shohin këto të dyja si aleate strategjike.

Sondazhi konstatoi gjithashtu pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, me një shumicë relative e të anketuarve (43.3%) që beson se vendi nuk ka kapacitet për t’iu bashkuar BE-së në 10 vitet e ardhshme. Pak më shumë se një e treta e shqiptarëve (38%) besojnë se Maqedonia e Veriut mund të anëtarësohet në BE në 10 vitet e ardhshme.

Shumica e shqiptarëve (55.3%) përkrahin amendamentet kushtetuese si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, me vetëm 29.8% prej tyre që besojnë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj.
Sa i përket gjuhëve zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese e shqiptarëve (89.1%) besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të çojnë në një status të avancuar për gjuhën shqipe, e cila duhet të përkufizohet si gjuhë bashkëzyrtare, në të njëjtin nivel me maqedonishten. Vetëm 6.4% e të anketuarve besojnë se duhet të ruhet përkufizimi aktual, sipas të cilit gjuha shqipe definohet si gjuhë zyrtare e folur nga së paku 20% e popullsisë.

Metodologjia

Një mostër përfaqësuese në nivel shtetëror prej 1,000 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart u anketua ndërmjet 15 dhe 21 marsit përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind.

*Hulumtimi është realizuar dhe financuar nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi