Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në përgjigjen e një pyetje të gazetarëve që të japë koment për Deklaratën e miratuar nga Kuvendi bullgar me të cilën “dënohet retorika antibullgare në Maqedoninë e Veriut”, tha se ajo nuk është në përputhje me politikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

“MPJ-ja kishte reagim zyrtar. Së pari, me keqardhje edhe Ministria edhe unë konstatoj se deklarata e kuvendit për gjoja përshkallëzim të aktiviteteve agresive antibullgare në Maqedoninë e Veriut që u miratua në ditën e fundit të punës së Kuvendit të Bullgarisë para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare nuk korrespondon me politikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella përmes respektimit të ndërsjellë dhe tregon për mungesën e vullnetit për zbatimin e saj”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, duke pasur parasysh kohën e miratimit të deklaratës, ajo mundet gjithashtu të shkojë në favor të provokatorëve qëllimi i të cilëve është që të shkaktojnë aktivitete politike të cilat ndikojnë negativist në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe me këtë i minojnë përpjekjet për kthimin e shtegut konstruktiv dhe krijimin e marrëdhënieve të partneritetit mes dy shteteve.

Gjithashtu, shtoi kryeministri, edhe MPJ-ja edhe një numër i madh i institucioneve të tjera shtetërore në disa raste kanë theksuar se Ligji për Fondacione dhe Shoqata nuk është kundër bashkimit të një ose bashkësie tjetër etnike, por kundër parimit që shoqata të qytetarëve të mbajnë emra të personaliteteve kontroverse të cilët përfaqësojnë provokim jo vetëm për maqedonasit, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Kovaçevski potencoi se Maqedonia e Veriut nuk negocion me Bullgarinë për hyrje në BE.

“Ne negociojmë me 27 shtete anëtare dhe Komisionin Evropian për BE-në dhe jemi të detyruar të kryejmë detyrimet tona në lidhje me procesin e skriningut me BE-në, i cili po ecën sa më mirë. Gjithashtu mbetemi në qëndrimin se për këtë rast dhe për rastet e tjera të provokimeve me sulme fizike që kanë ndodhur në vendin tonë, institucionet kanë reaguar në mënyrë të duhur. Autorët e veprave penale janë kapur dhe po kryhen veprimet hetimore, të cilat janë në vijim dhe po kryhen pa dallime. Dhe gjithashtu, të gjitha këto ngjarje u dënuan nga të gjithë përfaqësuesit shtetërorë të shtetit. Prandaj, deklaratat e shumta për raste të tilla, të cilat tashmë janë interpretuar në përmbajtjen e deklaratës në Kuvendin bullgar, i konsideroj të ekzagjeruara dhe të pabaza, të cilat në asnjë mënyrë nuk përputhen me realitetin”, tha Kovaçevski.

Në lidhje me atë se a frikësohet nga bllokadë e re bullgare, ai tha se ajo që duhet të bëjmë është që të punojmë pandalë që t’i përmbushim kriteret e BE-së për anëtarësim të plotfuqishëm.

Derisa po bëhen përgatitjet për shënimin e përvjetorit të lindjes së Dellçevit, Kuvendi bullgar dje miratoi një Deklaratë, në të cilën, siç thuhet, dënon “retorikën antibullgare në Maqedoninë e Veriut”. Deputetët bullgarë njëzëri me 185 vota “për” urdhëruan institucionet në Maqedoninë e Veriut që të marrin masa sistematike për të ndalur gjuhën e urrejtjes kundër Bullgarisë në vend. Deklarata dënon, siç thonë ata, “krimin e kryer ndaj Pendikovit dhe vendimet për kufizimin e veprimtarisë së shoqatave bullgare. Sipas tyre, “nëse me përshkallëzimin e fushatës antibullgare rrezikohet procesi i ndryshimit të Kushtetutës, do të ndikojë edhe në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut”.

Për këtë ka reaguar mbrëmë MPJ-ja e Maqedonisë, e cila me keqardhje konstatoi se deklarata e Kuvendit për gjoja “përshkallëzimin e aktiviteteve agresive antibullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut” nuk përputhet me politikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella përmes respektit të ndërsjellë dhe tregon mungesë vullneti për zbatimin e saj