“Shmangia e një lufte bërthamore është prioriteti ynë”. Kështu thotë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Fjalë që tingëllojnë si një përpjekje për të zbehur kërcënimin atomik drejtuar botës, gjatë fjalimit të presidentit Vladimir Putin para diplomatëve të rinj dhe Akademisë Ushtarake të vendit.
Në atë takim, shefi i Kremlinit tha se raketa ndërkontinentale Sarmat, e njohur dhe si “Satan 2” do të jetë gati për t’u përdorur deri në fund të vitit. Arma ruse ka aftësinë që të mbajë dhe kokë bërthamore. Kjo vjen në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm nga lufta në Ukrainë, por edhe sanksionet dhe bllokada e Lituanisë për tranzitin e mallrave për në enklavën ruse të Kaliningrad. Lidhur me këtë, Zakharova kërcënoi shtetin e Baltikut se reagimi i Moskës nuk do të jetë diplomatik, por i natyrës praktike. Megjithatë nuk sqaroi se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.
“Bashkimi Europian dhe Lituania janë informuar për nevojën për të ndryshuar hapat e ndërmarra. Nëse kjo nuk ndodh, reagimi ynë do të nisë të zbatohet. Ne, sigurisht, do t’iu informojmë se çfarë do të jetë dhe kur ato vendime janë konfirmuar”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Rusisë.