Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se zgjerimi mbetet një nga instrumentet më të suksesshme të politikës së jashtme të BE-së dhe interesit të saj strategjik, por se mënyra se si merren vendimet duhet të ndryshohet. Ai tha se zgjerimi i BE-së është imperativ gjeopolitik.

“Ndërsa ne jemi duke ringjallur zgjerimin e BE-së, ne duhet të mbajmë në të njëjtën kohë kapacitetin e BE-së për të vepruar. Ky është gjithashtu një imperativ gjeopolitik. Është e qartë se në periudha të ndryshme ne kemi paguar çmimin për parimin e unanimitetit në politikën e jashtme të BE-së, duke dobësuar dhe shtyrë veprimet tona”, tha Borrell.

Borrell tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor, është në interesin e tyre strategjik.

“Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar me shumë të drejtë, që procesi i tyre i anëtarësimit të gjykohet në bazë të meritave të tyre. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet që kur BE-ja shpalli në Selanik se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së. Zgjerimi i BE-së në ato vende, që janë të gatshëm dhe të afta për të përmbushur kushtet, nuk është një “shërbim” apo një lëshim, është në interesin tonë strategjik”, tha Borrell.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së është sërish në krye të agjendës dhe thotë se Këshilli Evropian vendosi javën e kaluar, që e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë qëndron në BE dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë në atë rrugë, transmeton Klankosova.tv

“BE ka përsëritur gjithashtu angazhimin e saj ndaj tyre. Ndërsa ne rigjallërojmë zgjerimin e BE-së, ne duhet të bëjmë një përpjekje të ngjashme për të reformuar BE-në dhe vendimmarrjen tonë, sepse BE-ja e zgjeruar gjithashtu duhet të jetë në gjendje të veprojë. Kjo do të thotë gjithashtu, reduktim të rregullave të unanimitetit në politikën e jashtme edhe në fusha të tjera”, në mënyrë që më shumë vendime të merren me shumicë të cilësuar”, tha Borrell.

Ai shton se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka përshpejtuar historinë nga shumë këndvështrime, por edhe ka intensifikuar debatin për rendin evropian dhe parimet që e mbështesin atë.

Ai thotë se një politikë e besueshme zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë Evropën.

“Forca e sistemit të BE-së ka qenë gjithmonë që disi t’i kthejë ndarjet në marrëveshje. Edhe këtu është shumë e rëndësishme nëse një vendim merret unanimisht apo me shumicë të cilësuar (CMV). Nëse vendet e dinë paraprakisht se një vendim përfundimtar mund të të bëhet me një shumicë të cilësuar, ata kanë një nxitje të fortë për të negociuar dhe për të krijuar një konsensus. Nëse e dinë se mund të bllokojnë gjithçka, nuk kanë asnjë nxitje për të investuar në një kompromis të shëndetshëm”, tha ai.

Siç përfundoi ai, zgjerimi i BE-së kërkon një proces që zgjat shumë vite dhe që shpejtësia e tij nuk përputhet lehtë me shpejtësinë e ndryshimeve në kontekstin gjeopolitik, prandaj, sipas tij, nevojitet një kornizë shtesë.