-ads3-

Dita e martesës për të gjithë mbetet e paharruar. E tillë do të mbetet edhe për Albion Gashin nga Komuna e Suharekës. Por jo vetëm pse u martua, pasi ky është proces i zakonshëm që shumica e njerëzve e përjetojnë të paktën njëherë në jetë. E veçanta e kësaj dite për Albionin është se ai tri orë para se të bënte betimin për dashuri të përjetshme me vajzën që ka zgjedhur për bashkëshorte, dorëzoi dokumentet në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.

Albion Gashi, 23-vjeçar dhe e dashura e tij Almira, tash e sa kohë kishin caktuar 12 majin e vitit 2022 si ditën kur do të lidhnin jetën e tyre bashkë, me ç’rast, ashtu siç e do zakoni, krushqit do i sillnin Albionit nusen në shtëpi.

Për Albionin kjo mund të konsiderohet si një ndër ditët më me fat në jetën e tij, pasi që kreu dy punë të mëdha që lidhen me të ardhmen e tij.

Ai ishte fatlum pasi fitoi termin në ambasadën e Gjermanisë, që tash e disa muaj është bërë në formë lotarie. Por atë e ‘tronditi’ mesazhi që mori nga ambasada, ku thuhej se termini i tij është pikërisht më 12 maj, në ditën e njëjtë kur do të martohej me Almirën.

Ai ka rrëfyer për Gazetën Sinjali këtë ditë interesante, duke thënë se ka disa muaj që tenton ta zë një termin për vizë në ambasadë.

“Unë aplikoj tash e disa muaj për një termin për vizë në ambasadë gjermane, por si duket fati deshi që unë ta zë atë pikërisht në ditën më të lumtur të jetës sime, pra të martesës“, filloi rrëfimin e tij Albioni.

Ai tregon për Sinjalin se e dashura e tij fillimisht nuk i besonte se ka arritur të sigurojë një termin dhe se atë e kishte fiks në ditën e dasmës.

“E dashura ime nuk më besonte kur i kisha treguar se termini më ishte caktuar në ditën e njëjtë, si të dasmës“, tha për Sinjalin 23-vjeçari nga Suhareka.

Dita e shumëpritur erdhi. 12 maji i sivjetëm Albionin e gjeti me agjendë të ngjeshur pasi që në ora 13:00 do të duhej të dorëzonte dokumentet në ambasadë, ndërsa tri orë më pas do të martohej.

“Unë me një kushëri timin isha në Ambasadë për të dorëzuar dokumentat, derisa të tjerët do të prisnin sinjalin tim se kur do të duhet që të niseshin krushqit. Unë dorëzova dokumentet në ambasadë në orën 13:00, derisa krushqit që kisha planifikuar unë të niseshin më herët, u nisën më vonë pasi duhej të prisnin rikthimin tim në shtëpi“, rrëfen Albioni.

Ai thotë se kjo është dita më interesante dhe më e lumtur e jetës së tij.

“Sot për mua vërtetë ka qenë një ditë interesante dhe e lumtur në të njëjtën kohë. Në orën 13:00 dorëzova dokumentet në ambasadë dhe më pas në ora 16:00 u martova“, përfundon rrëfimin Albioni.