-ads3-

Aleanca për Shqiptarët pohon se përfshirja e personave të imputuar pa përkatësi etnike dhe mospublikimi i vendbanimit të personave nga diaspora kanë luajtur rol negativ në paraqitjen e përqindjes reale të bashkësive etnike në vend dhe se me këtë rrezikohen të drejtat kolektive që gëzonim deri më tani.

“Konkretisht, përqindja e shqiptarëve në Kërçovë ka rënë nën 50% dhe me këtë rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar”, tha Naim Bajrami, ASh.

I pyetur se a ka vërtetë mundësi që kjo të ndodhë, kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, tha se jo, ndërsa nuk u përgjigj më gjatë se kaq!

“Në asnjë mënyrë! Shumë dallash janë për fat të keq! Kërçova ka mbi 55% shqiptarë”, theksoi Fatmir Dehari, kryetar i Kërçovës.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, rezulton se Kërçova ka 41.27% shqiptarë rezidentë, por këtu nuk është përfshirë diaspora. Kjo pritet të bëhet ditëve në vijim, kur të tregohet se nga cilat komuna janë mërgimtarët, shpjegon për TV21 zëvendësdrejtori i entit të statistikave Ilmi Selami.

“17,056 kërçovarë janë në diasporë. Prej tyre 15,237 janë shqiptarë, ndërsa mbetja janë të tjerë. Jo vetëm për Kërçovën por për te gjitha qytetet, numri i jorezidentëve është paraparë që të përpunohet dhe të publikohet në setin e dytë të të dhënave te regjistrimit”, tha Ilmi Selami, zv/drejtor i Statistikave.

Selami risqaroi se Ligji parasheh në mënyrë shumë të saktë se cilat janë kategoritë e regjistrimit. “Kategoria e parë janë rezidentët, e dyta jorezientët dhe kategoria e tretë është popullsia e përgjithshëm, pra totali i dy kategorive të para” u shpreh ai. Nga kjo nënkuptohet se Komuna e Kërçovës nuk do ta humb të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare të shqiptarëve, të cilët janë mbi 50% në këtë komunë.