Tetovë, dhjetëra vetura të sanksionuara për parkim të parregullt

Stacioni Policor për Siguri në Komunikacion Rrugor Tetovë ka kumtuar se çdo ditë marrin masa për rregullimin e parkingjeve në Tetovë. Vetëm dje në Tetovë janë sanksionuar gjithsej 22 automjete për parkim të parregullt, 11 prej të cilëve janë ngritur nga shërbimi i merimangës.

Nga SPB Tetovë theksojnë se këtë muaj janë sanksionuar gjithsej pesëdhjetë vetura kryesisht në zonën Ilinden dhe Iliria. Muajin e kaluar janar, numri i automjeteve të parkuara për parkim të gabuar ishte 199.

SPB lajmërojnë se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla, ndërsa apelojnë deri te pronarët e automjeteve në Tetovë që të parkojnë vetëm në lokacionet e caktuara, të rregulluara me shenja përkatëse të komunikacionit. Gjobat për të tilla kundërvajtje variojnë nga 45 deri në 180 euro në kundërvlerë në denarë.