Shqiptarët nuk janë të huaj në RMV, Hyseni i reagon Milçinit!

“E gërditshme të shitësh historinë e huaj dhe mbi të gjitha të porositësh për heshtje”. Ka shkruar në facebook Vlladimir Milçin, duke aluduar në rolin e Bujar Osmanit, MPJ të Maqedonisë së Veriut, në kontestin e shtetit me Bullgarinë. Këtë qasje të disa intelektualëve maqedonas, të cilët tentojnë të ngrejnë temën etnike aty ku çështja është shtetërore, e ka komentuar gazetari dhe njohësi i çështjeve politike Blerim Hyseni.

 

Hyseni vlerëson se disa struktura të tjera të mendësisë së kaluar ende nuk e kanë kuptuar realitetin që po ndërtohet me shumë vështirësi pas vitit 2001. “Ata vazhdojnë të trumpetojnë se me temat e shtetit ekskluzivtetin duhet ta kenë maqedonasit dhe shqiptarët dhe të tjerët mund të merren me çështje dytësore më pak të rëndësishme. Thyerja që është bërë me emërimin e shqiptarit si ministër i Punëve të Jashtme ka qenë e pritur nga këto struktura të cilat për çdo temë dhe për çdo problem vazhdojnë ta konsideroj në shqiptarin si fajtor kujdestar. Megjithatë, vlerësoj se këto struktura gjithnjë e me pak kanë ndikim dhe kjo ndoshta është arsyeja për të cilën ata shqetësohen sepse ushqim të karrierës së tyre kanë pasur marrëdhëniet ndëretnike e ne veçanti proklamimin se çdo e keqe Maqedonisë i vjen nga shqiptarët edhe pse ne gjithmonë kemi dëshmuar me konstruktivitet se jemi faktor stabilizues por kjo nuk nënkupton se duhet të trajtohemi si qytetar me rrezik për këtë vend. Prandaj, vlerësoj që jo vetëm politika e jashtme por politika mbarë shtetërore për shqiptarët nuk është e huaj dhe kemi dëshmuar se nuk e trajtojmë si të tillë. Ndryshe, ditë më parë, i pari i diplomacisë Osmani deklaroi para gazetarëve se Komisioni i historianëve nuk duhet të pushojë së funksionuari, por që funksioni i tyre nuk është të komentojnë çështje politike.