Shënohet 11 shkurti – Dita ndërkombëtare e vajzave dhe grave në shkencë

Maqedonia e Veriut është lider në Evropë sipas numrit të grave hulumtuese të cilat përbëjnë 53% nga numri i përgjithshëm i hulumtuesve në vend, gjë që e vërteton edhe raporti i fundit i publikuar nga UNESCO. I përgëzoj të gjitha vajzat dhe gratë e reja nga kjo hapësirë që kanë vendosur të merren me shkencë. Ato janë një shtyllë e rëndësishme mbi të cilën mbështetet rrjedha dhe progresi i përgjithshëm socio-ekonomik, dhe gjithsesi japin kontribut për zhvillimin global.

Këtë e theksoi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në konferencën e sotme të organizuar nga bashkëshortja e presidentit të shtetit Elizabeta Gjorgjievska, me rastin e 11 shkurtit- Ditës ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të lartë nga vendi dhe rajoni.
Ai tha se gratë shkencëtare meritojnë respekt të veçantë nga shoqëria. Veçanërisht nga institucionet e sistemit të cilat vazhdimisht duhet t’u ofrojnë mundësi më të mira për punë me qëllim që përpjekja e tyre të vlerësohet si duhet, që do të shërbejë si motiv për përpjekje shtesë.

„Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po bën pikërisht këtë. Vetëm gjatë vitit të kaluar përmes thirrjeve publike janë ndarë rreth 243 milionë denarë mjete buxhetore për të mbështetur realizimin e projekteve kërkimore-shkencore me interes të veçantë publik të realizuara nga institucionet publike shkencore, si dhe për përmirësimin e kushteve të punës të laboratorëve në institucionet e larta arsimore dhe shkencore“, tha Shaqiri.
Ai shtoi se bursat për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në vend janë një masë stimuluese për krijimin e shkencëtarëve të rinj. Bursat për ciklin e dytë u rikthyen si masë 10 vjet pasi u shfuqizua ndërsa, ato për doktoraturë, u futën për herë të parë si mundësi për të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet në ciklin e tretë.
Poashtu shprehu besimin se trendi i rritjes së vazhdueshme të buxhetit për shkencë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ministri tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë dhe nnë të ardhmen të jetë pjesë e shënimit global të kësaj dite, sepse kjo iniciativë e Kombeve të bashkuara e sensibilizon barazinë gjinore dhe e thekson gatishmërinë e grave të kontribojnë në veprimtarinë shkencore, duke shtuar se vendi ka mbështetur edhe deklaratën e Lubjanës për barazinë gjinore në hulumtim dhe inovacion.