Shaqiri – Koja: OSBE ngelet mbështetësi më i madh në arsim

Ndërtimi i klimës së besimit ndërmjet nxënësve si dhe përforcimi dhe ngritja e vlerave të bashkëjetesës si dhe respekti i ndërsjellë janë angazhime të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të cilat Misioni i OSBE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut i jep mbështetje të fortë, konstatuan në takimin e sotëm Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe ambasadori Klemens Koja, duke e potencuar edhe përparimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit në interes të avancimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës.

Me reformat në arsim synojmë të krijojmë shkolla që mbështesin dhe inicojnë aktivitete në të cilat të rinjtë lidhen dhe realizojnë bashkërisht qëllimet, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe të tjera. Pranimi i diversitetit si vlerë, luftimi i diskriminimit, dhunës dhe intolerancës janë si bazë në programet e reja mësimore dhe materialet mësimore ndërsa në këto përpjekje kemi mbështetjen dhe bashkëpunimin e madh të Misionit të OSBE-së”, theksoi ministri Shaqiri.

Ambasadori Koja, thuhet në kumtesë, theksoi se përvoja dhe ekspertiza e OSBE-së është ende në dispozicion të Ministrisë, në përpjekjet për ndryshime pozitive në procesin edukativo-arsimor. “Nëpërmjet procesit të edukimit shoqëria fiton qytetarë të pavarur dhe të përgjegjshëm dhe që janë bartës të ardhshëm të proceseve demokratike”, potencoi Koja

Ministri Shaqiri, shtohet më tej, e njoftoi ambasadorin Koja edhe për zhvillimet e tjera aktuale në fushën e arsimit dhe shkencës, veçanërisht duke iu referuar fillimit të gjysmëvjetorit të dytë në kushte pandemie dhe përpjekjeve për një proces të rregullt arsimor me prezencë fizike të nxënësve.