Policia konstaton parregullsi gjatë transportit të nxënësve, përjashton nga komunikacioni 11 automjete

Dje, gjatë periudhës prej orës 12:00 deri në ora 15:00 policët e Byrosë për siguri publik në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë realizuar aksion kontrolli në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, në të cilën janë përfshirë të gjithë Sektorët e punëve të brendshme, transmeton TV21.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë kontrolluar 249 vetura të cilat kryejnë transport publik të fëmijëve drejt shkollave në 102 lokalitete, pas çfarë janë konstatuar 8 vepra penale, 48 shkelje të Ligjit për siguri në komunikacion, 16 të Ligjit për automjete, 3 nga Ligji për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje ngjitëse dhe të ngjashme.

“Në stacionin për kontroll teknik janë dërguar 41 automjete, kurse nga trafiku janë larguar 11 automjete të cilat kryejnë transport publik për shkak të parregullsisë teknike dhe lëshime të tjera. Gjatë kontrollit në rajone të të gjithë sektorëve të punëve të brendshme, janë legjitimuar edhe 277 shkollarë të mesëm, kurse janë kryer edhe 2.211 kontrolle te nxënësit”, qëndron mes tjerash në njoftimin e MPB-së, transmeton TV21.