Njëra nga nënat që bëri peticionin kundër Ëmblës: Nuk jam pishman

Në ClickPlus në TV21 është inkuadruar një nënë që nënshkroi peticionin me të cilin u soll vendimi që Ëmbla Ademi, me Doun Sindrom u përjashtua nga klasa.

Ajo, tha se peticioni nuk ka qenë për të përjashtuar nga shkolla Ëmbla, por për të gjetur zgjidhje, pasi siç thotë ajo, Ëmbla ka shprehur dhunë ndaj fëmijëve të tyre.

“Ne nuk e kemi përjashtuar Ëmblën nga shkolla. Ne si nëna e bojkotuam shkollën për të gjetur zgjidhje sepse Ëmbla është agresive ndaj fëmijëve”, tha ajo.

E pyetur më tej se a e tërheqin pas peticionin dhe a do ta bënin sërish një veprim të tillë.

Ajo tha se peticioni ka pasur vlerë vetëm në gjysmëvjetorin e parë, dhe si i tillë tashmë nuk është në fuqi.

“Bojkoti ishte në gjysmëvjetorin e parë. Bojkoti nuk ishte në gjysmëvjetorin e dytë”.

Megjithatë, shtoi se nëse do duhej, sërish do të bënte të njëjtën.

“Unë nuk jam pishman. Nëse vjen puna unë sërish bëj peticion”, tha më tej ajo.
“Ne nuk e përjashtojmë Ëmblën. Por zotëri Iliri e bëri këtë shumë të madhe”.
“Pse kur Ëmbla na i lëndoi neve fëmijët, neve zotëri Iliri nuk u çua në këmbë”.