Mjekët apelojnë ta merrni edhe dozën e tretë/ Demiri: Kujdes, Omikroni nuk është aq i butë sa thuhet!

Numri i të infektuarve me Covid-19 krahasuar me javën paraprake është rritur për 2.7% në javën që lam pas. Grupmoshat më të prekura janë mbi 60 vjeç. Qytetarët nuk duhet të lirohen dhe të harrojnë rrezikun nga Covid-19, ngaqë edhe varianti i ri Omicron nuk është aq i butë sa thuhet.

Kështu e përshkruan variantin e ri infektologu Ilir Demiri, i cili thotë se edhe po rritet numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim.

“Njerëzit nuk duhet aspak të lirohen, se varianti omicron është më i lehtë. Omicroni është në shumicën e të infektuarve më i lehtë, por mos harroni se një pjesë e mirë e atyre që e kalojnë lehtë janë të vaksinuar. Të pjesa e popullatës që nuk është vaksinuar, omicron mund të ketë një manifestim të rëndë klinik. Inkurajimi i tipit se omicroni është më i lehtë dhe se më lehtë do ta kalojnë nuk mban klinikisht. Po punojmë me kapacitete të plotësuara”, vlerëson Demiri.

Vetëm për nja javë kanë ndërruar jetë 148 pacientë. Duke folur për përvojën e tij pran Klinikës për sëmundje infektive, Demiri thotë se nuk ndonjë rast të vdekjes te pacientët që janë vaksinuar dhe nuk kanë ndonjë sëmundje bashkangjitëse përveç virusit korona dhe anasjelltas.

“Deri sot nuk kam evidentuar asnjë pacient që ka ndërruar jetë nga Covidi dhe është vaksinuar, pa komorbiditete. Jam dëshmitar për shumë pacientë pa komorbiditete, të pavaksinuar që kanë ndërruar jetë. Dua të apeloj te qytetarët që masa e vetme që do të na mbrojë dhe të e kalojmë më lehtë këtë, siç potencoi kryetari i Komisionit është vaksinimi”, shton Demiri.

Raporti i institutit të shëndetit publik gjithashtu tregon një numër shumë të lartë të riinfeksioneve. Javën e kaluar 1.558 qytetarë janë infektuar për herë të dytë me virusin korona, ndërsa 17 për herë të tretë.

“Omicroni mund t’i shmanget imunitetit të përfituar nga infektimi me llojin Delta dhe mund ta shmang imunitetin e vaksinimit, nëse vaksina është marrë gjatë kohë më parë. Për këtë arsye, që të zvogëlohet numri i riinfeksioneve mbetet vaksinimi, duke përfshirë dozën e tretë, për të cilën ka studime të mira, që tregojnë se mbrojtja nga infeksioni rritet mbi 80% kur e pranoni dozën e tretë të vaksinës anti-covid”, tha Aleksandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

Përndryshe kjo ishte konferenca e parë e mediave nga ana e përbërjes së re të Komisionit për Sëmundje ngjitëse. Kryetar i këtij komisioni u zgjodh doktor Aleksandar Petliçkovski, i cili vjen në vend të epidemiologut Karaxhovski, ndërsa zëdhënës nga sot është doktor Zllate Mehmedoviç. Komisionit iu shtuan edhe disa anëtarë të rinj.