Maqedoni e Veriut/ Akuzohesh se je shqiptar edhe kur bartë funksion shtetëror

Është lehtë me shitë “të huajën”. Është maksima që po merr hov në Maqedoninë e Veriut. Së fundmi Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme është cak i sulmeve nga opinioni maqedonas, për prejardhjen etnike, pavarësisht funksionit shtetëror që bartë ai. Akuzave standarde të VMRO-DPMNE-së iu është bashkëngjitur së fundmi edhe Vlladimir Milçin, aktivist dhe njohës i çështjeve politike. “E gërditshme të shitësh historinë e huaj, dhe mbi të gjitha të porositësh për heshtje”, ka shkruar Milçin.

I pari i diplomacisë Osmani deklaroi para gazetarëve se Komisioni i historianëve nuk duhet të pushoj së funksionuari, por që funksioni i tyre nuk është të komentojnë çështje politike.

 

Politikologu Xhenur Iseni kujton se ende disa maqedonas me mendësi të mbyllur, nuk munden të pranojnë se shqiptarët janë shtetëformues. Prandaj- thotë Iseni- ata politikën e shtetit e konsiderojnë si të huaj për shqiptarët.

“Politikën dhe Qeverinë e diktojnë shqiptarët, jetën e qeverisë e diktojnë shqiptarët, dhe assesi ndryshe. Ende nuk jemi pjekur mjaftueshëm, dhe çdoherë këtyre çështjeve iu japin kahje etnike. Kemi shumë shembuj kur shqiptarët denjësisht kanë mbrojtur interesat shtetërore dhe udhëheqin institucionet më të larta me plotë profesionalizëm siç është rasti i Ministrit aktual i punëve të jashtme apo i Kryeparlamentarit të vendit. Por të shikojmë dhe anën tjetër të medaljes, se megjithatë çështja e bisedimeve me Sofjen është një çështje shumë e ndjeshme për maqedonasit, dhe mendojnë se një shqiptarë mund të lëshon pe dhe nuk solidarizohet me bashkëqytetarët tjerë maqedonas. Megjithatë fjalën e fundit nuk e ka Ministri i Jashtëm. Për fund, reagimit të Profesorit Millçin nuk i jap të drejtë, por megjithatë e kuptoj”, ka deklaruar Iseni.