Kur ambasadorja Bërns uroi NORMAK dhe LEAR për hapjen e fabrikës së re. Sot u realizua (FOTO)

Me 7 Maj të vitit 2021, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërns përgëzoi koropratën Lear dhe Normak për zgjerimin e kompanisë me një investim prej 15 milionë euro dhe deri në 1500 vende të reja pune.

“Urime Korporatës LEAR për ceremoninë e sotme të themelimit në Zonën e Lirë ekonomike-Tetovë. Kompania po zgjeron prodhimin e saj, e cila do të krijojë qindra vende të reja pune. Ky është shembulli më i mirë se si kompanitë amerikane kontribuojnë në rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut” kishte shkruar në Twiter ambasadorja Bërns gjatë hedhjes së gurthemelit të fabrikës së re të Lear në zonën ekonomike në Tetovë.

Sot me një kohë rekorde, në një kohë pandemie u bë realitet edhe marrja e lejes së përdorimit të fabrikës së re prodhuese të kompanisë amerikane Lear dhe Normak Investment Group në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike në Tetovë.

Siç informoi ministri Bekteshi, investimi i ciklit të ri të dytë është 15 milionë euro dhe fabrika e prodhimit është ndërtuar në një sipërfaqe prej 8 000 m2. Ky investim krijon 1000 deri në 1500 vende të reja pune.

“Në Maqedoninë e Veriut realizohet edhe një investim tjetër i rëndësishëm Nëntë muaj pasi ishim këtu për të vendosur gurin e themelit të investimit të përbashkët të ciklit të dytë të Normak Investment Grup dhe kompanisë amerikane Lear, sot kam nderin t’i dorëzoj menaxhmentit të kompanisë licencën e nevojshme për impiantin e ri të prodhimit.

Investime të tilla të mëdha mbështeten nga shteti dhe investitorët kanë përfitime dhe një sërë lehtësimesh në më shumë faza të procesit të investimit” tha ministri Bekteshi.

Sipas tij, investime të tilla japin një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik vendor, veçanërisht në fushën e punësimit, zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe kanë ndikim pozitiv në eksportet nga ky rajon, para së gjithash sepse krijojnë produkte me vlerë më të madhe të shtuar.

“Dëshmi për këtë janë rezultatet pozitive të operacioneve, veçanërisht në kohë krize të shkaktuar nga pandemia, Lear arriti të rrisë eksportet me 10% në vitin 2021, pas rritjes së eksporteve me 15% në vitin 2020” deklaroi ministri Bekteshi.

Aleksandar Zarkov, menaxher i përgjithshëm i Normak Investment Group falënderoi Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e dhënë për Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike në Tetovë dhe Normak Investment Group.