Kriza energjetike/ BE bisedime me SHBA-në dhe Norvegjinë për të rritur furnizimet me gaz

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen këtë të hënë ka deklaruar se BE është në bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe furnizuesit e tjerë për të rritur furnizimet me gaz të Evropës mes “shqetësimeve” për furnizimet ruse.

Ajo ka theksuar se po ndërtojnë një partneritet të sigurisë energjetike me Shtetet e Bashkuara, i cili ka të bëjë kryesisht me furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG).

“Ne po krijojmë një partneritet të sigurisë energjetike me Shtetet e Bashkuara, i cili ka të bëjë kryesisht me furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG). Gjithashtu do diskutojmë me furnizues të tjerë të gazit , si Norvegjia, për rritjen e furnizimeve në Evropë,” ka thënë ajo.

Përshkallëzimi i tensioneve midis Perëndimit dhe Moskës për Ukrainën ka ngritur shqetësime për rrjedhat e gazit rus në Evropë. Çmimet e gazit janë rritur në muajt e fundit për shkak të rënies së importeve nga Rusia./abcnews.al