Kovaçevski-Mishell: Shkupi dhe Sofja, të gatshme të dyfishojnë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në kuadër të vizitës dyditore të punës në institucionet e BE-së, sot në Bruksel ka takuar kryetarin e Këshillit Evropian Sharll Mishell.

Nga qendra për shtyp pranë Qeverisë njoftojnë se në takim është folur edhe për qasjen e re të qeverive në Shkup dhe Sofje për zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve, me qëllim zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Kryeministri Kovaçevski dhe kryetari i Këshillit Evropian ndanë qëndrim të përbashkët se qeveritë e Shkupit dhe Sofjes janë të gatshme të dyfishojnë përpjekjet e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe se institucionet evropiane po punojnë për të ndihmuar në çbllokimin e procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipëri, pritet të ndikojnë pozitivisht në dinamikën e reformave në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në kumtesë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takimin në Këshillin Evropian u vu në pah bashkëpunimi mes BE-së dhe NATO-s për një përgjigje diplomatike dhe përshkallëzimin e krizës në Ukrainë.