Rrustem Mustafa, ish komandant i UÇK-së në zonën e Llapit i njohur si Remi, ka thënë se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë fituar të drejtën për t’u pasuruar pas luftës së Kosovës më 1998-1999.
Sipas tij, ata kanë luftuar për t’u pasuruar pas luftës.
“Kemi luftu me u pasuru, me u ba ma mirë gjithçka. Njerëzit që kanë qenë të vujtun përpara luftës, kanë fillur me jetu mirë dhe këtu njerëzit që kanë jetu ma mirë përpara kanë fillu me u frigue”, ka thënë Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Remi, ku ka konfirmuar se 14 mijë euro për çdo muaj i ka marr nga Telekomi i Kosovës, të cilës, Remi ia lëshuar shtëpinë me qira.
E kritika për qasjen e Remit dhe komandantëve tjerë, ka analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.
“Në fakt të drejtën për tu pasuruar me punë e ndershmëri dhe në mënyrë të pastër ligjore në shtetet demokratike, e kanë të gjithë pa dallim dhe secili qytetar veç e veç, pa asnjë përjashtim, por edhe nëse dikush ka luftuar, në asnjë mënyrë dhe rast, kjo nuk donë të thotë se me automatizëm, mund ta ketë fituar të drejtën edhe për të zhvatë, plaçkit e uzurpuar, madje aq më pak, në emër të UÇK-së, siç veprohej nga disa kuasi “komandant” e zëvendës të tyre, menjëherë pas luftës, duke e keqpërdorur këtë emër të shenjtë”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, të gjithë komandantët që u pasuruan në mënyrë të jashtëligjshme duhet të sillen para ligjit.
“Ndaj komandanti i vetpasuruari Rrustem Mustafa – Remi, mund të flasë për vete personalisht çfarë të dojë, por nuk ka asnjë arsye, të këmbëngul se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e paskan fituar, apriori të drejtën për t’u pasuruar pas luftës 1998-99, në Kosovë, nëse ajo pasuri është grumbulluar në mënyrë të kundërligjshme ngase është vepër penale edhe për komandantët e luftës dhe të paqes, kushdo qofshin ata dhe së shpejti mund të përgjigjen para ligjit për pasurim të kundërligjshëm”, thekson Qarri për “Bota sot”.
Ai shprehet se zbatimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme sapo të miratohet në Kuvend, duhet të nis me Remin dhe shokët e tij.
“Kështu që pas miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme që së shpejti pritet të shkojë në Kuvend për tu votuar, fillimi i zbatimit të tij në praktikë, duhet të nisë me komandantë “remët” dhe jo me ushtarët dhe njerëzit e thjeshtë, për të parë nëse mund ta arsyetojnë grumbullimin e pasurive marramendëse, disa-milionëshe, e cila përveçse mund tu konfiskohet, mund t’i ulë edhe ata në bankën e të akuzuarve dhe dënohen, për zhvatje, plaçkë e përvetësim të pasurive të paligjshme të popullit dhe shtetit të Kosovës”, thekson Qarri.
Më tej, Qarri thotë se përderisa komandantët u pasuruan, mijëra luftëtarë të UÇK-së jetojnë në varfëri të skajshme.
“Për aq më tepër, që ta marrin vesh edhe komandantët milioner, në asnjë ligj, nuk shkruan se në luftë shkohet për tu pasuruar, por për ta çliruar vendin nga pushtuesi e okupatori, ndaj është shumë gabim që në debate televizive njerëz si Remi, të deklarojnë se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për “t’u pasuruar dhe për t’u bërë mirë” pas luftës, ngase përderisa Remi me shokë i kanë grumbulluar milionat, në mënyrat, që vetëm ata i dinë, një pjesë e ushtarëve të UÇK-së, nuk kanë arritur ta sigurojnë as mbijetesën dhe bukën e gojës për vete dhe familjet e tyre, duke mbetur gjithmonë të varfër dhe një numër jo i vogël, janë detyruar të bëjnë edhe vetëvrasje, përderisa remi dhe remakët si ai, kanë bërë sallamadi, si ua ka dashur qejfi, duke shpenzuar jo qindra, por mijëra euro edhe vetëm për një darkë e drekë, apo aheng rasti. Madje luftë shumë më të gjatë e më të madhe, se në Kosovë, ka bërë Kroacia, e cila ka arritur ta çlirojë veten nga okupatorët serb, pa ndihmën e NATO-së dhe askujt tjetër, por kurrë nuk ke dëgjuar nga komandantët e saj, se në luftën për çlirimin e atdheut, kanë shkuar për tu pasuru, madje broçkulla si këto edhe në Kosovë i dëgjon vetëm nga “komandantët” milioner, të cilët jo vetëm se e kanë dëshmuar personalisht, me aktet e tyre, por e thonë publikisht, edhe para audiencave televizive, se në luftë, kanë shkuar për tu pasuruar”, deklaron Qarri.
Advertisment
Deklarimet e komandant Remit, analisti Qarri i quan skandaloze, për çka kërkon nisjen e hetimeve të menjëhershme ndaj tij.
“Fakti se ata siç e thonë vet, se në luftë kanë shkuar për tu pasuruar, nuk është mënyra më e mirë, “për me u ba ma mirë gjithçka”, ngase jo vetëm njerëzit e rëndomtë por edhe shumë ushtarë të UÇK-së “që kanë qenë të vujtun përpara luftës, nuk kanë fillu me jetu mirë”, as pas luftës, por kanë jetu edhe më keq, madje edhe kanë mbijetuar me ndihma të mërgimtarëve dhe organizatave humanitare, duke mos pasur as kulm mbi kokë, përderisa komandant remat, kanë paluar lekët, pa e ditur as vet se sa miliona kanë grumbulluar në mënyra ,që me ligjin për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, mund të dalin të kundërligjshëm dhe turpërojnë jo vetëm remin por edhe shumë komandant të tjerë, milioner. Të thuash para kamerave televizive se në Kosovën e pasluftës, ke marrë “14 mijë euro në muaj dhe s’ka pasë kurgjo aty”, madje të përdorësh shprehjet aq të ulëta e egoiste si; “Ma mirë unë a ti?!”,siç shprehej para kamerave Remi, jo vetëm që është skandaloze, por edhe rast, apo raste, të cilat duhet hetuar deri në fund për tu vërtetuar origjina dhe prejardhja e gjithë atyre parave, në një vend kaq të vogël e të varfër si Kosova”, shprehet Qarri.
Për fund, Qarri thotë se me deklarata të tilla, komandant Remi po dëshmon se pas çlirimit të Kosovës nga NATO, një pjesë e komandantëve si “çlirimtar me nam” dhe mos-fitues të asnjë beteje të madhe, janë fshehur prapa UÇK-së për tu pasuruar.
“Ndaj sapo të miratohet ligji për konfiskimin e pasurisë, zbatimi i tij, nuk guxon të fillojë nga ushtarët e thjeshtë, por nga komandantë dhe peshqit e mëdhenj të grumbullimit të milionave, për tu parë e dëshmuar, se me çfarë lloj punësh dhe në bazë të cilave rregulla të fitimit, për kohë kaq të shkurtër, kanë mundur ti grumbullojnë vetëm ata gjithë ato para e pasuri, ngase ka ardhur momenti që të sqarohet ligjësia e pasurimit të tyre, sepse vërtetë është skandaloze që komandat Remi dhe shokët e tij të kenë milionat, e mijëra ish ushtar dhe familje të Kosovës, të jetojnë ne varfëri të skajshme, duke mbijetuar me vetëm 90-100 euro në muaj, të ndihmave sociale, apo edhe duke ikur tërësisht nga vendi”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.