Ish-ambasadori kosovar në Çeki, Arbër Vllahiu, vlerëson se zotëria i parë, Prindon Sadriu, duhet të shkarkohet urgjentisht pas deklaratës që quante mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Vllahiu, në “Info Magazine”, tha se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të marrë urgjentisht masa ndaj Sadriut, pasi i njëjti ka bërë shkelje të lartë prej diplomati, njofton Klankosova.tv

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës është dashtë që menjëherë të reagojë, në bazë të të gjitha rregulloreve të brendshme dhe urdhëresave të brendshme administrative, zotëri Prindon Sadriu do të duhej që menjëherë të merrej në komision disiplinor. Kjo është një shkelje etike e rëndë prej një diplomati, duke marrë parasysh se është edhe shef i Misionit Diplomatik në Shkup dhe si i tillë ka përgjegjësi të plotë mbi atë që thotë”.

“Zotëri Prindoni do të duhej të pezullohej urgjentisht nga detyra e tij”, tha Vllahiu.

Vllahiu, mes tjerash, thotë se është shqetësues që asnjë institucion i Kosovës nuk ka reaguar ndaj deklarimit të Sadriut dhe kështu po krijohet për të heshtur çdo zë që është kundër pushtetit.

“Është shqetësues fakti që asnjë institucion i Kosovës nuk ka reaguar dhe kjo krijon një klimë frikësimi mbi mediat dhe përpjekje prej linçimit publik që do të kishte mendim ndryshe mbi pushtetin në vend”.

“Sot kemi përpjekje për të heshtur çdo zë që kundërshton pushtetin. Presidentja është numri një i këtij shteti dhe është faktor i unitetit të këtij shteti dhe është shqetësues edhe pse është bashkëshorti ose kushdo që të ishte në vend të tij, por roli i unitetit do të duhej të luhej në çdo rast dhe kushdo që të jetë i përfshirë. Në një klimë të tillë të frikësimit dhe duke goditur mediat, zëri kritikues në Kosovë do të jetë më i zbehtë. Por, me këtë veprim po krijohet një shoqëri dhe klimë autokratike, në Kosovë besoj që nuk ka vend për njerëz që mund të jenë mbi qytetarët e tjerë”.

“E rëndon situatën si bashkëshort i presidentes, diplomat dhe punonjës në FSK, por nuk e amniston askënd bashkëshortësia me president a presidente. Prindon Sadriu do të duhej të tërhiqej nga diplomati i karrierës në Shkup”.

Mes tjerash, Vllahiu vlerëson se kjo është deklarata më e rëndë prej një diplomati karshi mediave, teksa hedh dyshime se presidentja dhe zotëria i parë edhe mund ta kenë diskutuar këtë çështje.

“Kjo është deklarata më e rëndë prej një diplomati ose politikani në Kosovë karshi mediave. Unë nuk di ndonjë deklaratë më të rëndë se kjo”.

“Deklarata e tij lexohet edhe në Shkup dhe nga ana e diplomatëve tjerë në Kosovë dhe diplomatëve të huaj në Kosovë. Përgjegjësia është më komplekse sesa që marrim ne, Prindon Sadriu nuk është në cilësinë e tij, por deklarata e tij në cilindo rrjet social të tij nuk ka të bëjë me deklarim prej qytetari të thjeshtë, një ka të bëjë me shef i diplomacisë dhe dy si bashkëshort i presidentes së vendit. Kush mund të thotë se ata nuk kanë diskutuar për këtë çështje”.

“Bashkëshortët e presidentëve nuk mund të deklarohen për çështje politike, kjo është çështje puro politike”, tha Vllahiu.