Nxënësit e shkollës së mesme të ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski” prej të mërkurën do të kalojnë në mësim online për shkak të mungesës së ngrohjes, shkruan Alsat.

Nga udhëheqja e shkollës thanë për Alsat se mësimi online do të jetë i përkohshëm derisa Qyteti i Shkupit të gjej zgjidhjen e duhur për këtë problematikë. Drejtoresha e shkollës, Anita Tomovska tha se për këtë vendim tashmë është njoftuar edhe Qyteti i Shupit dhe dikasteri i Arsimit, ndërsa ky i fundit ka dhënë edhe pëlqimin për mësim online. Gjithashtu, sipas Tomovskës për mësimin online është marrë edhe pëlqim nga Këshilli i prindërve, mësimdhënësve dhe shkollës.Alsat ka mësuar se me problem të njëjtë po përballet edhe shkolla e mesme ekonomike “Arseni Jovkov”. Nga këtu nuk dëshirojnë që hapur të flasin për këtë problematikë por thonë se ngrohja momentale nuk është e mjaftueshme për ngrohjen e gjithë hapësirës së shkollës. Madje, sipas informacioneve tona, pas problemeve të krijuara dorëheqje ka dhënë edhe drejtoresha e shkollës. Ndërkohë për këtë problematikë pas katër ditësh, përgjigje morëm edhe nga Qyteti i Shkupit. Nga atje thanë se zgjidhje do të ofrojnë por pa saktësuar kur dhe si.

“Do të ishte qesharake të them se fëmijët do të duhen të mësojnë nga shtëpia për shkak se nuk kanë ngrohje në shkollë. Është problem i cili besoj se shumë shpejt do të tejkalohet. Qyteti i Shkupit fillimisht është i obliguar dhe së dyti, shpresoj që pas koordinimit të sotëm do ta zgjidh problemin, ndoshta sot ose nesër”, deklaroi Danijell Apostolloski, Qyteti i Shkupit.

Mungesa e ngrohjes në shkolla të mesme të caktuara në Shkup vjen si pasojë e rritjes së çmimit të gazit dhe pamundësisë financiare për ta mbuluar gjithë sezonin e ngrohjes