Çdo i treti i testuar rezulton pozitiv për kovid-19. Aktivë janë 13.962, ndërsa më shumë se gjysma – 7624 janë në Shkup. Autoritetet thonë se nuk ka nevojë për kufizime të reja dhe se mënyra më e mirë për t’u përballur me pandeminë është vaksinimi.
Apel për imunizimin dhe respektimin e masave kanë bërë dje ministri i Shëndetësisë Bekim Sali dhe kryetari i BFI-së Reisul-Ulema Shaqir Fetahu. Vaksinimi është mundësia më e përshtatshme dhe më e mirë për t’u mbrojtur nga kovid-19, kanë thënë krerët e komuniteteve fetare.
“Në një kohë pandemie, kur pothuajse të gjithë jemi të prekur nga virusi, kur disa prej nesh kanë humbur shumë nga njerëzit tanë të dashur, dëshiroj që në këtë mënyrë të përbashkët t’i bëj thirrje çdo qytetari që ta marrë seriozisht nevojën e vaksinimit, përgjigjuni thirrjes tonë për vaksinim dhe të mos lejojmë askënd që t’i hamendësojë përpjekjet për të shpëtuar lidhjen dhe jetën e njerëzve që na rrethojnë nga kjo pandemi që na ka ndryshuar mënyrën e jetesës prej dy vitesh”, tha ministri në fjalën e tij pas takimit me krerët fetarë.
Sali theksoi se është i bindur se vaksinimi është mënyra më e sigurt për të parandaluar përhapjen e virusit, por edhe e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
“Ne si individë jemi të thyeshëm lehtë. Ne si pushtet i kemi në duar të gjitha resurset që të kujdesemi për shëndetin e popullatës. Por ne, si shoqëri, kemi mundësi reale të bashkuar të punojmë në shpëtimin e sa më shumë jetëve dhe të dhurojmë më shumë dashuri dhe respekt të ndërsjellë”, shtoi Sali.
“Në çdo moment kemi bërë apel njerëzit t’i respektojnë të gjitha masat që i kemi sjellë si BFI në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Apeli bëhej në të gjitha xhamitë çdo të premte, në të gjitha mexhliset, grupet dhe mendoj se kjo ishte punë shumë e suksesshme. Gjithashtu BFI pati urdhër tek të gjithë besimtarët që të bëhet apel që vaksinimi të merret në mënyrë serioze që të qaset në mënyrë serioze pasi i tillë është vendimi i OBSH-së”, tha Shaqir Fetahu.
Sipas të dhënave të publikuara dje, janë kryer 4811 teste, janë regjistruar 1715 raste të reja me KOVID-19, 24 persona kanë vdekur dhe 2057 të shëruar.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë është 274.144, numri i të shëruarve është 251.688, numri i të vdekurve është 13.962.
Nga Agjencia për mbrojtjen e të dënave personale, lidhur me informacionin për publikimin e vendimeve për personat të cilët duhet të jenë në izolim për shkak të koronavirusit KOVID-19 në ueb faqen e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor me qëllim – dërgimin elektronik të vendimeve, nuk lidhet me parimin e ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës dhe parimin e vëllimit minimal të të dhënave të përcaktuara në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Në lidhje me publikimin e vendimeve për personat që duhet të jenë në izolim në ueb faqen e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, nuk ka bazë ligjore për publikimin e tyre në ueb faqen dhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për arsye se vendimet për personat që duhet të izolohen për shkak të koronavirusit KOVID-19 përmbajnë edhe kategori të veçanta të të dhënave personale, gjegjësisht të dhëna që kanë të bëjnë me shëndetin, të cilat të dhëna personale gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas dispozitave për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për ato nuk mund të vlejnë përjashtimet nga rregulli që ndalon përpunimin e disa kategorive të të dhënave personale”, bëhet e ditur në kumtesën e Agjencisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale.
Mënyra e dërgimit me shkrim është përcaktuar në Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative, me ç’rast dërgimi elektronik mund të kryhet duke plotësuar dhe zbatuar kushtet e përcaktuara në dispozitat e nenit 85 të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative, ku duhet të parashikohen dhe zbatohen masat adekuate teknike dhe organizative sipas shkallës së rrezikut të operacioneve të përpunimit të të dhënave personale në përputhje me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Çdo person fizik që ka nevojë të arrijë te vendimi për izolim do të duhet të ketë vetëm një mundësi indivuduale për qasje dhe ta marrë Vendimin e tij dhe nuk duhet të ketë mundësi qasje, shikim dhe përpunim në të dhënat e vendimeve për izolim të personave të tjerë fizikë. Gjatë dërgimit të vendimeve për izolim në mënyrë elektronike (shkarkimi i dokumentit nga serveri i caktuar nga organi publik), është e patjetërsueshme të zbatohet mbrojtje teknike e integruar e të dhënave personale, përkatësisht të zbatohen masat e duhura teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit të të dhënave personale në proporcion me qëllimin e përpunimit, sipas rrezikut”, qëndron mes tjerash në kumtesë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSHdje kumtoi se dy vjet pas shpërthimit të Kovid-19, Evropa së shpejti mund të hyjë në një “periudhë të gjatë qetësie” për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, variantit më të lehtë Omikron dhe përfundimit të dimrit.
“Në këtë periudhë të mbrojtjes më të lartë duhet të shihet si një armëpushim që mund të na sjellë paqe të qëndrueshme. Ky kontekst, të cilin deri tani nuk e kemi përjetuar në këtë pandemi, na le mundësi për një periudhë të gjatë qetësie”. Për më tepër, Evropa do të jetë në një pozicion më të mirë për të penguar çdo rifillim të transmetimit të infeksionit, “madje edhe në një variant më virulent” nga Omikon. Unë besoj se është e mundur t’i përgjigjemi tendosjeve të reja që do të shfaqen në mënyrë të pashmangshme – pa ri-imponuar masa të tilla shkatërruese siç na duheshin më parë,” deklaroi dje drejtori i përgjithshëm i OBSH-së për Evropën Hans Kluge.
Megjithatë, Kugle paralajmëroi se skenari optimist do të realizohet vetëm nlse vendet vazhdojnë me fushatën për vaksinim dhe e përforcojnë monitorimin për zbulimin e varianteve të reja të koronavirusit. Ai, gjithashtu, u bëri thirrje autoriteteve shëndetësore t’i mbrojnë grupet me rrezik dhe të promovojnë përgjegjësi individuale.
Me përhapjen e variantit më infektues omikron, infektimet janë rritur ndjeshëm në rajonin evropian të OBSH-së, që përfshin 53 vende, përfshirë edhe disa nga Azia Qendrore. Sipas OBSH-së javën e kaluar në rajon janë regjistruar rreth 12 milionë raste të reja, që është niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkaq, Komisioni Evropian (KE) dje propozoi që certifikata digjitale e BE-së të vazhdohet deri në fund të qershorit 2023, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Komisioni tani po i paraqet një propozim Këshillit dhe Parlamentit të BE-së që të ketë kohë deri në përfundimin e rregullores aktuale të kovid certifikatës për të miratuar këtë zgjatje.
Certifikata dixhitale kovid lehtëson udhëtimin midis vendeve anëtare të BE-së, si dhe një numri vendesh të treta që i janë bashkuar sistemit. Kjo certifikatë përmban informacion mbi dozat e vaksinës, kalimin e sëmundjes dhe rezultatin e testeve PCR.