Brenda një jave 147 viktima nga virusi

Javën e kaluar, autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, kanë regjistruar 147 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19. Pjesa më e madhe e tyre i takojnë grupmoshës mbi 60 vjeç.

Për shkak të numrit alarmant të vdekjeve si pasojë e COVID-19, që rendit Maqedoninë e Veriut në vendin e katërt në botë për numrin e viktimave në 100.000 banorë, Komisioni për Sëmundje Infektive pritet ta ndryshojë mënyrën e numërimit të rasteve të vdekjeve nga koronavirusi. Në lojë janë disa opsione, për saktësimin se cilët persona kanë ndërruar jetë si pasojë e drejtpërdrejtë e COVID-19 dhe të tjerët ku koronavirusi ka qenë sëmundje shoqëruese.

Sipas analizës së ISHP-së, gjatë Janarit, nga të gjitha rastet e hospitalizimeve dhe vdekjeve nga COVID-19, vetëm 6 persona që kanë marrë tre doza të vaksinës kanë humbur betejën me koronavirusin. Të gjitha rastet e vdekjeve kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese.

Sipas një Raporti Javor të ISHP-së, rënie të lehtë shënojnë shifrat e infektimeve të reja, riinfektimeve dhe viktimave nga koronavirusi. Derisa ulet numri I infektimeve tek të rriturit, rriten shifrat e fëmijëve dhe adoleshentëve të infektuar.

Gjatë periudhës nga 31 Janari deri më 06 Shkurt, janë shënuar 9.982 infektime të reja – 16.2% më pak se java paraprake. Gjatë javës së shkuar regjistrohen 1.340 riinfektime, kurse nga fillimi I epidemisë janë 7.842 persona që janë infektuar për herë të dytë, kurse 20 të tjerë janë infektuar për herë të tretë.

Në covid-spitalet e Maqedonisë së Veriut janë të shtruar 717 pacientë, 6.9% më shumë se java paraprake. 430 prej tyre janë me oksigjeno-terapi, kurse 14 në ventilim mekanik.

Deri tani në laboratorin për virusologji pranë ISHP-së, janë detektuar 255 pacientë pozitiv me variantin “Omicron”, kurse janë detektuar edhe mostra të llojit “Delta”.

Autoritetet e shëndetësisë thonë se vendi ende gjendet në transmission të gjerë të virusit dhe se është herët për heqjen e covid-certifikatave. Komisioni ka propozuar vazhdimin e certifikatave se e keni kaluar covidin nga 45 sa është aktualisht në 180 ditë. Vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë – vlerësojnë autoritetet, kurse nuk mendohet për vaksinimin e detyrueshëm por se si të nxitet imunizimi. /KlanMacedonia/