Bërns fton qytetarët të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe SHBA-ve

Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns përmes një komenti ka njoftuar për seriozitetin e situatës në Ukrainë duke thënë që agresioni rus rrezikon interesat e sigurisë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara dhe duke ftuar për unitet qytetarët e vendit.

Bërns shkruan se “Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë ndërtimin e një koalicioni ndërkombëtar partnerësh në Evropë dhe më gjerë të cilët e shohin qartë këtë kërcënim.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe e kemi bërë të qartë se rruga e diplomacisë ofron zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të gjithë. Megjithatë, nëse Rusia zgjedh rrugën tjetër dhe sulmon më tej Ukrainën, ne jemi të gatshëm me partnerët dhe aleatët tanë të imponojmë pasoja të rënda ndaj Rusisë”, shkruan në komentin e ambasadores amerikane.

Më tej ajo shton se “Këto do të ishin sanksione të rëndësishme – financiare, ekonomike dhe lloje të tjera të sanksioneve, të tilla siç nuk i kemi zbatuar deri më tani. Kërcënimi për Ukrainën nga Rusia është një kërcënim për vlerat demokratike në mbarë botën”.

Ambasadorja amerikane thotë se “Amerikanët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet të qëndrojnë në krah të Ukrainës për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme.”