Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me komisionarin e Lartë për Pakica Nacionale të OSBE-së, Kairat Abdrakhmanov. Siç njoftojnë nga kabineti i Xhaferit, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se Republika e Maqedonisë së Veriut veçohet si shembull pozitiv dhe referencë për të gjithë rajonin dhe më gjerë.

“Kryetari Xhaferi e uroi bashkëbiseduesin për emërimin e tij në këtë pozitë të rëndësishme në OSBE. Ai falënderoi të gjithë Komisionarët e Lartë të mëparshëm për pakica nacionale të OSBE-së për tërë mbështetjen që e merr vendi ynë në vitet e kaluara në përpjekjet e mëdha për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe promovimin e vetëdijes më të madhe për integrimin e pakicave në shoqëri”.

“Krytari i Kuvendit e informoi mysafirin se Republika e Maqedonisë së Veriut, si kryesues i ardhshëm i OSBE-së në vitin 2023, ka vizion të promovojë prioritete me interes të përbashkët të të gjitha vendeve anëtare të OSBE-së dhe t’i inkorporojë parimet kryesore dhe angazhimet e OSBE-së, duke përfshirë edhe parimet për përparimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, thuhet në kumtesë.

Komisionari i Lartë për Pakica Nacionale, Abdrakhmanov, theksoi se vlerësohet lartë bashkëpunimi i institucioneve shtetërore, bashkësisë akademike dhe sektorit joqeveritar në vend me të gjithë trupat e OSBE-së .

Ai theksoi se qëndron në disponim për mbështetje logjistike dhe administrative dhe ndihmë gjatë kryesimit tonë me OSBE-në dhe sugjeroi se angazhohet për përforcimin e kohezionit social dhe bashkëjetesës multietnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.