Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur keqardhjen për vdekjen e papritur të presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli.
Ai tha se Sassoli ishte një mik i mirë dhe avokat i zjarrtë i Shqipërisë.
“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte…Addio caro David, riposa in pace”, ka shkruar Rama në Facebook.
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, që vdiq sot në moshën 65-vjeçare ka mbështetur procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ndërsa ka vizituar Shqipërinë dy vite më parë, në shkurt të vitit 2020.
Sassoli ishte sëmurë rëndë që prej më shumë se dy javësh duke anuluar çdo lloj aktiviteti. Ai ishte shtruar në një spital në Itali muajin e kaluar për shkak të komplikacioneve serioze me sistemin imunitar./ TCh