Zëvendëskryeministri i parë Maqedonisë së Veriut, Artan Grupi ka reaguar ndaj kufizimeve që Kosova ka vendosur për personat që hyjnë në Kosovë, të cilët duhet të dëshmojnë se janë të vaksinuar me tri doza të vaksinës Anti-COVID, apo me dy doza dhe të paraqesin testin PCR negativ.
Grupi në një lidhje direkte në T7 me Arsim Lanin ka thënë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk kanë marrë ende dozën e tretë të vaksinës.
Megjithatë, ai është shprehur se kanë marrë sinjale pozitive nga Qeveria e Kosovës dhe se ka dëgjuar që do të kthehen masat e kaluara, me të cilat kërkohej që qytetarët të dëshmojnë se janë të vaksinuar me dy doza e jo me tri.
“Ne kishim sinjale. Unë e pash një komunikim dhe qëndrim zyrtar nga ministria juaj e Shëndetësisë por dëgjova që do i ktheni masat paraprake që i keni pasur, që do të thotë me dy vaksina mund të vihet në Republikën e Kosovës, nuk e kam të konfirmuar përfundimisht por vlerësoj që autoritet kosovare do të reflektojnë për arsye se shohim reagime shumë negative edhe nga ana e Kosovcës edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ai.
Grupi ka thënë tutje se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk e kanë mirëpritur vendimin e marra nga Qeveria e Kosovës dhe se kjo po ua vështirëson hyrjen në Kosovë.
“Ky vendim i qeverisë apo i Komisionit atje në Kosovë, i Ministrisë së Shëndetësisë vërtet na befasoi, nuk e pritëm, bashkë me ne edhe qytetarët në veçanti shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e mirërpritën një vendim të tillë për arsye se shkëmbimi i dy vendeve tona është i jashtëzakonshëm, familje të ndërlidhura njëra me tjetërin, miqasi, shoqëri, ekonomi dhe tregëti dhe shmë prej nesh, përfshirë edhe unë që çdo vikend vi në Republikën e Kosovës dhe kjo na vështirson shumë kalimin e kufirit”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se e njëjta situatë epidemiologjike është edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, e në shtete tjera, por që asnjë vend nuk ka marrë masa të tilla kufizuese.