-ads3-

Nuk kam lidhje me “Besa Trans Preshevë”, nuk kam kompani të tjera dhe nuk organizoj udhëtime për në Stamboll. Kështu u përgjigj për Televizionin Telma Bekim Haxhiu, pronari i agjencisë “Besa Trans Shkup”, në autobusin e së cilës para një muaji e gjysmë në Bullgari humbën jetën 45 shtetas të RMV-së.

Haxhiu është nën hetim nga organet e hetuesisë bullgare dhe pasi ka dalë vetëm në mediat bullgare, tani për herë të parë dha deklaratë për një media të vendit.

Ai tha se ka dëshmuar edhe në prokurorinë e RMV-së, e cila po heton nëse ka faj në institucionet tona, pasi autobusi i “Besa Transit” është lejuar të kalojë 120 herë kufirin me dokumente false. Se si i ka marrë dokumentet e falsifikuara, nëse dhe kush ka paguar që autobusët e tij të kalojnë kufirin legalisht, nuk tregoi.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka të bëjë fare biznesi me Preshevën. Besa Trans nuk punon pasi nuk ka licencë.
“Besa Trans Preshevë” nuk ka lidhje me “Besa Trans Shkup”, tha Bekim Haxhiu.

Në aksidentin tragjik të autostradës “Struma” në Bullgari që ka ndodhur më 23 nëntor ndërruan jetë 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata po ktheheshin nga udhëtimi turistik në Turqi.