Pendarovski – Selakoviq: Të përmirësohet pozita e pjesëtarëve të pakicave nacionale në dy vendet

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviq, sot në Shkup u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në të cilin është biseduar për mundësitë e të dyja vendeve të punojnë në përmirësimin e pozitës së pjesëtarëve të pakicave nacionale si në Serbi ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

“E falënderoj presidentin Pendarovski për takimin dhe na takon që t’i kultivojmë marrëdhëniet e mira fqinje me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Selakoviq.

Ai shtoi se në takim është folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rëndësinë e nismës “Ballkani i Hapur”.

“Fokusi ynë është në respektimin e ndërsjellë, kultivimin e marrëdhënieve miqësore dhe të mira fqinje por edhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me theks serioz në bashkëpunimin ekonomik”, tha Selakoviq.