-ads3-

-Është i nevojshëm kthimi i besimit mes të dyja qeverive, që do të kontribuojë për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe dialogut politik për çështje më të ndjeshme. Tejkalimi i paqartësive të ndërsjella është me rëndësi për zhvillimin e pandërprerë të proceseve eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, si dhe për neutralizimin e euroskepticizmit të rritur dhe tendencat negative në rajon, tha presidenti Stevo Pendarovski në takimin e sotëm me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Pendarovski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut në frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektimin e parimit të barazisë mes të dyja palëve ka vullnet të fuqishëm politik që ta vazhdojë dialogun, me qëllim gjetjen e kompromisit për çështjet e hapura.

“Në takim është biseduar për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit bilateral në më shumë sfera me interes të përbashkët, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë fqinj të afërt dhe aleatë në NATO. Në atë drejtim presidenti shfaqi mbështetje për dialogun e filluar mes të dyja qeverive, propozimet konkrete, si dhe qëllimet për intensifikimin e bisedimeve në periudhën e ardhshme me qëllim arritjen e rezultateve matëse në interes të qytetarëve”, informoi Kabineti i presidentit.

Sipas Pendarovskit, fillimi i bisedimeve për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian do të përfaqësojë përfitim për prosperitetin dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Kjo në mënyrë plotësuese do të ndikojë në avancimin e bashkëpunimit në ekonomi, shkëmbimin tregtar, lidhjen infrastrukturore si dhe bashkëpunimin në sferat e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës.