Osmani: Pozitat e mia janë në përputhje me interesat shtetërore

Nuk kam besim të plotë te Ministri për punë të Jashtme, Bujar Osmanin, në lidhje me bisedimet me Bullgarinë.

Këtë e deklaroi zv.kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov i cili nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar.

“Po, nuk kam besim të plotë në ministrin për punë të jashtme, në kolegun e deritanishëm, ja kanë mbetur edhe dy-tre ditë, në lidhje me këtë çështje. Kam parandjenjë se ai dëshiron sukses me çdo kusht, që mendoj se nuk është produktive dhe është e rrezikshme. Ndoshta edhe gaboj, shpresoj se gaboj”, tha Dimitrov.

Me reagim doli shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili thotë se negociatat në nivel teknik i udhëheqin grupet e punës të cilat i përfaqësojnë interesat e shtetit, ndërsa njëkohësisht edhe pozitat e tij personale janë në përputhje me ato shtetërore. Kritikat e Dimitrovit i vlerësoi si joproduktive dhe të padrejta para vizitës së delegacionit të lartë bullgar të kryesuar nga kryeministri Petkov.

“Qëndrimet e mia personale si Ministër i Punëve të Jashtme dhe si individ, përputhen absolutisht me qëndrimet shtetërore që ne si Qeveri i përfaqësojmë edhe kur bashkërisht ndërtuam interesat shtetërore në krijimin e Marrëveshjes së Prespës, edhe kur bashkërisht krijuam Marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë si dhe tani kur flasim sërish për tejkalimin e dallimeve me fqinjët tanë”, reagon Osmani.

Dimitrov shpeshherë në fjalimet e tij reagonte hapur në lidhje me relacionin dhe kërkesat e Bullgarisë. Tani zbulon se shpesh herë ka pasur mospajtime serioze gjatë takimeve brenda qeverisë dhe thotë se ishte pengesë për zgjidhje të keqe me Bullgarinë, duke shtuar se nuk ishin në të njëjtën linjë edhe me Vllado Buçkovskin i cili dje u shkarkua nga pozita përfaqësues special i Qeverisë në negociatat me Bullgarinë.

“Së pari dua të demantoj se unë vetë jam tërhequr, kjo nuk është e saktë. Unë nuk jam njeri i cili tërhiqet nga beteja. Kjo betejë nuk ishte sekret, dallimet ishin evidentuar edhe në mesazhet publike edhe në shfaqjet publike. Dy herë kur kjo betejë arriti kulmin, gjë për të cilën opinioni publik nuk dinte, një herë në Bruksel e një herë në Shkup, unë qartë thash se përmes kufijve të caktuar nuk do të lejoj të kalojmë me çdo kusht, më pak me çmimin e pozitës sime në Qeveri”, tha Dimitrov.

Me reagim dolën edhe nga kabineti i kryeministrit në largim, Zoran Zaev prej ku thonë se Maqedonia ka pozita të qarta në negociatat me Bullgarinë dhe me ato pozitat është njoftuar edhe Dimitrov.

“Nëse Dimitrov është kundër pozitave që i ndërtuam së bashku, është e ndershme t’ia thotë popullit dhe të sqarojë pse, për shkak se në të kundërtën mbetet përshtypja se mospjesëmarrja e tij në qeverinë e re është arsyeja për manifestimet e këtilla të pasakta dhe spekulative me qëllim që qeveria të ngarkohet me mosbesim para se të fillojë me punë”, deklaroi Zaev.

Përveç pushtetit, me kritika doli edhe opozitarja VMRO-DPMNE, prej ku Dimitrovin e vlerësuan si karrierist i cili luan rolin e gjeneralit pas luftës. Dimitrov thotë se edhe përkundër asaj që nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re, ai do të qëndrojë që të ndjekë procesin e negociatave me Bullgarinë dhe publikisht do të flas për çdo hap të gabuar. I është ofruar që të jetë edhe ambasador në SHBA ose të zgjedh ai vetë ku të dojë, por thotë se ka refuzuar për shkak se në atë mënyrë, siç vlerëson ai, kanë dashur ta heshtin.