Në “Programi 200”, Osmani deklaroi se ndjehet i brengosur për reperkusionet nga zvarritja e situatës gjeo-politioke në rajon dhe në vend për situatën e brendshme.

“Unë si ministër i Jashtëm kam qasje në analiza të shumta, informacione të shumta dhe më shumë më brengosin reperkusionet nga zvarritja e situatës gjeo-politike në rajon, por edhe për situatën e brendshme. Shqipëria është peng i joni, në një moment Shqipëria mund të thotë unë nuk mund më, dhe kjo do të krijojë raporte të reja dhe situata të reja në rajon”, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Nga vullneti i të dyja palëve varet fati evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Osmani tha se shkaku i Maqedonisë po bllokohet Shqipëria dhe i gjithë rajoni në procesin e integrimeve.

Ai, theksoi sonte se nga vullneti i të dyja palëve varet fati evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Në procesin e integrimeve jemi të bllokuar, dhe për shkak neve është edhe Shqipëria e bllokuar, i tërë rajoni është i bllokuar për shkak të kësaj çështjeje, dhe nga vullneti i të dyja palëve varet fati evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe barra e këtyre dy palëve që bisedojnë është shumë më e madhe se vetëm tejkalimi i dallimeve ndërmjet dyja vendeve. Vullnet të mirë pashë, dinamikë kemi vendosur, kalendarë kemi definuar, strukturën e kemi përcaktuar, tani na mbetet të vazhdojmë me këtë dinamikë”, tha Osmani.

Kishte kujdes të jashtëzakonshëm për mos prekjen e çështjeve sensitive në mënyrë negative

Osmani gjithashtu shtoi se proceset ishin edhe disa herë peng i opinioneve të krijuara e të ndikuara nga propaganda të ndryshme por edhe njerëz të cilët për interesat e politikës ditore e kanë shfrytëzuar këtë temë për të krijuar një opinion.

“Në takim kishte një kujdes të jashtëzakonshëm për mos prekjen e çështjeve të cilët mundë të jenë sensitive për njërën ose tjetrën palë në mënyrë negative, për shkak se ajo çfarë kemi konstatuar ndoshta edhe pa e diskutuar fare se proceset ishin edhe disa herë peng i opinioneve të krijuara e të ndikuara nga propaganda të ndryshme por edhe njerëz të cilët për interesat e politikës ditore e kanë shfrytëzuar këtë temë për të krijuar një opinion, dhe ne pastaj jemi bërë peng i atyre opinioneve, dhe sot jemi konstatuar se duhet të jemi shumë të vëmendshëm për mesazhet që i dërgojmë të dyja opinioneve këtu dhe në Bullgari, por edhe tentojmë të krijojmë një frymë të re pozitiviteti”, tha Osmani.