Omer Ajdini: Funksionarët e BDI nga Likova, asnjë fjalë të vetme ngushëllimi për Rexhail Qerimin

Omer Ajdini, kryetar i forumit rinor të Aleancës për Shqiptarët ka reaguar përmes një shkrimi në facebook pas ceremonisë së varrosjes së të burgosurit të rastit “Alfa” Rexhail Qerimi, përcjell in7

Ajdini shkruan se një banor të komunës së Likovës e varrosëm sot i cili vdiq duke u mbajtur padrejtësisht në burg nga ky sistem i padrejtësisë ndërsa funksionarët e BDI nga Likova, asnjë fjalë të vetme ngushëllimi për Rexhail Qerimin.

Postimi i plotë:

Ne sot vorrosëm një banor të komunës së Likovës i cili vdiq duke u mbajtur padrejtësisht në burg nga ky sistem i padrejtësisë, ndërsa këto janë përfaqësuesit kryesorë të komunës tonë në këtë shtet, nga të cilët ASNJËRI sot nuk e tha as edhe një fjalë të vetme ngushëllimi për familjen e Rexhail Qerimit dhe për banorët e komunë tonë të cilët u tronditën nga kjo ngjarje! Asnjë fjalë sot, si asnjë fjalë gjatë gjithë këtyre viteve që Rexhaili mbahej në burg padrejtësisht!!

Sadulla Duraku në 20 vitet e fundit ka qenë njeriu më me ndikim në komunën tonë, dhe sot një banor i komunës së tij varroset nga vdekja në burg dhe ai nuk gjen kohë as edhe për 1 fjalë të vetme ngushëllimi. 20 vite pushtet absolut, 13 vite kohë për ndërhyrje dhe sot sikur për rresht 13 vite asnjë fjalë për një të ndjerë. A e pranoi fajin dhe nuk pati guxim të kërkoj falje, apo edhe sot si gjithmonë nuk i interesoi çfarë ndodhi me vëllezërit e tij?! Cila është unë nuk e di, por njëra duhet të jetë e vërteta!
Erkan Arifi për çdo ditë poston mesatarisht nga 2.5 postime, ndërsa sot nuk e pa të arsyeshme ta thotë ASNJË fjalë të vetme për Rexhailin. A nuk vlenë jeta e Rexhailit sa një rrugë e shtruar me begatonka që të shprehet të paktën një fjalë ngushëllimi për familjen?! Apo edhe ai sikur gjithë të tjerët e dinte dhe e pranoi fajin dhe nuk pati guxim ta thotë as edhe një fjalë të vetme?!
Arbër Ademi gjatë gjithë këtyre viteve për çdo ditë ka kaluar para shtëpisë së Rexhail Qerimit meqë vie nga i njëjti fshat, dhe për 14 vite asnjëherë nuk mori guximin që ta thotë 1 fjalë të vetme në parlament për bashkëfshatarin e tij që dergjej në burg padrejtësisht. Si do të kalosh pranë dyerve të familjes së Rexhailit nga sot e tutje kur as një fjalë të vetme nuk e the sot për vëllaun tënd që të vdiq në burg?! Mos qofsha në lëkurën tënde!

Rexhail Ismaili poashtu përfaqësoi komunën e Likovës në parlament për shumë vite, dhe pati guxim që të rrihej pa kurfar turpi në parlament me vllaun e tij, por kurr nuk pati guxim t’i pyes institucionet e këtij shteti pse e mbanin në burg bashkëfshatarin e tij padrejtësisht. Ai kishte grushta për vëllaun në parlament, por nuk kishte dëshirë ta nxirrte një vlla tjetër nga burgu ku mbahej padrejtësisht, dhe sikur 14 vitet e kaluara edhe sot nuk e tha asnjë fjalë të vetme për Rexhailin që e vorrosëm në varrezat e fshatit të tij!

Berat Ajdari i bëri më shumë se 1 vit që kur u bë deputet, dhe asnjëherë nuk u kujtua ta thotë një fjalë të vetme për bashkëluftëtarin e tij të cilin ja kishin dënuar padrejtësisht. Berat, po të kishe pasur nevojë për Rexhailin në luftë jam i bindur që ai në zjarr do të kishte hyrë e s’do të kishte lënë të vetëm, por ti lëre që e le atë të vetëm të vdes në duart e sistemit të padrejtë që ti e përkrah, po sot nuk pate guximin ta thuash as edhe një fjalë të vetme ngushëllimi për familjen e tij. Nuk e bën këtë ushtari për ushtarin, vllau për vllaun, dije Berat!

Po çfarë të bëjmë! Këto vëllezër të dashur janë përfaqësuesit e komunës së Likovës të cilët i kemi zgjedhur dhe po i mbajmë në pushtet ne; përfaqësues të cilët në zgjedhje na i shurdhojnë veshët me premtime, e sot (sikur 13 vite deri tani) nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kur vorrosëm një vëlla që u mbajt dhe na vdiq në burg padrejtësisht.
Mos mbetshim në duart e tyre sepse fundin dihet si do ta kemi!, ka shkruar Ajdini.