Në kushtet kur konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk po gjen zgjidhje, Shqipëria ka nisur kërkesat për ndarjen në proces individual nga fqinji lindor për integrimin në BE.

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të ministres gjermane për Europën, Anna Luhrman, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kërkoi vlerësim individual për Shqipërinë: “Integrimi s’mund të lihet si vakuum për lojëra nga vendet e treta. Ne kushtet i kemi arritur individualisht. Askush nuk na del ne kundër në Europë. Kështu që, kërkojmë vlerësim individual”.

Por, kjo ide nuk gjeti mbështetjen e ministres gjermane, sipas së cilës, ndarja do e komplikonte edhe më shumë situatën: “Ne nuk dëshirojmë ta komplikojmë më tej apo ta vonojmë më tej këtë proces. Kemi marrë sinjale shumë pozitive dhe nga Bullgaria në këtë kontekst dhe do të vazhdojmë të angazhohemi që ne të mund të gjejmë në një kohë sa më të afërt të mundshme edhe zgjidhjen më të përshtatshme”.

Ashtu si paraardhësi i saj, Luhrman vlerësoi punën e bërë me drejtësinë, ndërsa kërkoi edhe angazhimin e opozitës për ta vijuar atë: “Zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar janë duke u vënë para drejtësisë. Këtu janë të nevojshme si qeveria, edhe opozita. Hapat pas do e dëmtonin procesin e reformave”.

Nga ana tjetër, Ahmetaj foli dhe për iniciativën Ballkani i Hapur dhe për aspiratën e vendeve pjesëmarrëse.

Ministrja gjermane dha mbështetjen e saj dhe për këtë nismë, ndërsa kërkoi gjithëpërfshirje dhe hapje ndaj të 6 vendeve të rajonit.