Pasi të përfundojë rikonstruimi i brendshëm pas zgjedhjeve lokale, që besojmë se do të përfundojë në mars, ne do të dalim në terren për ta rrëzuar qeverinë aktuale, e cila është Qeveri e BDI-së, kështu u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në trajnimin e sotëm me temë “Fushatat politike dhe qëllimet e organizatave të grave” organizuar nga Unioni i Grave të VMRO-DPMNE-së dhe Fondacioni “Jarl Hjalmarson”.

Ai komentoi edhe takimin e mbrëmshëm mes kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe funksionarëve të integristëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe disa ministra të Qeverisë së Kosovës.

“Do të mundim më seriozisht të ecim në terren dhe të japim sulmin e fundit të kësaj Qeverie, e cila sipas meje është Qeveri e BDI-së, e mbështetur nga LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit të LSDM-së. Këtë e pamë edhe me vepra se si në Prishtinë, Ali Ahmeti, Artan Grubi dhe të tjerët, kryejnë krim ndaj pjesës tjetër të qytetarëve duke u paraqitur si udhëheqësi shtetërore me vetëm 15 deputetë në Kuvend”, tha Mickoski.

Ndërkaq mbrëmë në Prishtinë u realizua takimi mes Ahmetit dhe Kurtit, ku siç njoftuan nga BDI, është biseduar për largimin e masave në kufij, lidhjen infrastrukturore dhe turistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.