Mexhiti: Qendrimi im për ministrat e BDI-së nuk ndryshon

Nënkryetari i BDI-së dhe deputeti i kësaj partie Izet Mexhiti, nuk shpalos vendimin e tij, nëse do të votojë apo jo Qeverinë e re të Kovaçevskit, shkruan gazeta LAJM.

“Do të shohim”, është përgjigja e tij kur pyetet si do të votojë për Qeverinë e re. “Qendrimi im për ministrat e BDI-së mbetet i njejtë. Ka akoma mosmarrëveshje por do t’i diskutojmë brenda partisë për të bërë një BDI më të fortë”, u shpreh Mexhiti.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të shtunën dhe të dielën zhvillohet debati për zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Sipas Kushtetutës, debati parlamentar për zgjedhjen e Qeverisë së re zgjat dy ditë, ndërsa votohet në mesnatë. Qeveria zgjidhet me së paku 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Qeverinë e re e përbëjnë Lidhja Social Demokrate dhe tri parti tjera politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Kabineti i ri qeveritar do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra.

Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.