Mbi 134 mijë raste të reja me COVID-19 në Argjentinë, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë

Me mbi 134 mijë rastet që janë zbuluar në një ditë në testet për koronavirusin e ri (COVID-19), në Argjentinë u regjistrua numri më i lartë i rasteve ditore të shënuara që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën 52 persona dhe 134.439 persona kanë rezultuar pozitiv në 201.585 testet e kryera.

Numri i të vdekurve në vend si pasojë e virusit ka arritur në 117.595, numri gjithsej i rasteve në 6.533.635, ndërsa numri i personave të shëruar në 5.654.746.

Në Argjentinën me popullatë mbi 45 milionë banorë, sasia e dozave të vaksinës së aplikuar ka tejkaluar 80 milionë doza, prej të cilave 38,7 milionë janë dozat e para, 33,5 milionë dozat e dyta dhe rreth 7,9 milionë doza përforcuese.

Javët e fundit rastet ditore të COVID-19 në Argjentinë vazhdojnë të jenë në nivelet më të larta.

Ministrja e Shëndetësisë, Carla Vizzotti, në një deklaratë të bërë më parë lidhur me rritjen e shpejtë të rasteve në vend tërhoqi vëmendjen për periudhën e ulët të inkubacionit të variantit Omicron dhe kishte njoftuar se pritej që rastet të fillojnë të ulen në mënyrë të shpejtë.

– Rekomandim i ri karantinimi për kontaktet e afërta

Ministrja Vizzotti tha se kontaktet e afërta që kanë 3 doza të vaksinës COVID-19 dhe që nuk shfaqin simptoma nuk kanë nevojë të zbatojnë karantinë.

Gjithashtu Vizzotti theksoi se personat me kontakte të afërta të cilët më parë kanë kaluar COVID-19 dhe që kanë bërë një ose dy doza të vaksinave është e nevojshme që me një karantinë më të lehtë të kryejnë testet në ditën e 3-të ose të 5-të.

Këto rekomandime janë vendosur në Këshillin Federal të Shëndetësisë të formuar nga ministrat e shëndetësisë së shteteve në vend theksoi Vizzotti, e cila shtoi se vendimi për zbatimin e këtyre do të merret nga drejtuesit lokalë.