“Unë jam Rafi Halili, më lindi toka Shqipëri…!”, kishte thënë për veten e tij në një kohë të pa kohë. Ai themeloi Organizatën Politike Kombëtare “Kushtrimi i Lirisë” më 1969 (19 vjeç), që veproi deri më 1982. Ishte ideologu i saj, simboli i qëndresës kombëtare.
Rafi Halili u lind më 11 tetor 1950 në fshatin Gajre të Tetovës. Ciklin e ulët e mbaroi në fshatin e lindjes, ndërsa tetëvjeçaren në SHF “Liria” të Tetovës. Që në atë moshë tregoi zgjuarsi të jashtëzakonshme. Në moshën e hershme, atdhedashurinë e mori nga burri i hallës, Bajram Veliu, nga i cili, në odën e bisedave mësoi për historinë e ilirëve, Skënderbeun e për shumë patriotë të tjerë, atdhetarë dhe kombëtarë. Kureshtja e tij shtohej për çdo ditë dhe u mbush shpirti i tij me patriotizëm e atdhedashuri, ndërsa figura e Skënderbeut u bë idhulli i tij. Një ditë që në bankat shkollore kishte vizatuar flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenore dhe e kishte ngjitur në një vend frekuentues. Policia e kishte zbuluar, kështu që në vitin e dytë të shkollimit të mesëm, më 1967, u mor nga policia jugosllave, bashkë me shokun e bankës, Gafur Lokun. Në hetimet që iu bënë, përjetoi tmerret më të rënda, por meqë ishte ende i mitur, lëshohet me kusht. Rafi Halili nuk pushoi. Një vit më vonë veproi i patundur në demonstratat e vitit 1968 në Tetovë, për çka vetëm dy ditë më vonë policia arreston me akuzën për pjesëmarrje në demonstrata dhe për propagandë armiqësore. Për këto veprime, drejtoria e gjimnazit do ta përjashtojë, për çka ishte detyruar që të kërkojë vazhdimin e shkollimit në Kosovë, ku edhe i fillon studimet në Fakultetin e Drejtësisë.
Veprimtaria e tij ilegale nuk u këput asnjëherë. Ai njëherësh vepronte edhe në Tetovë, ku shpërndante materiale propaganduese dhe ngjiste afishe nëpër rrugë me shumë kalimtarë. Pikërisht në këtë periudhë, ai themeloi organizatën ilegale “Kushtrimi i Lirisë”, ku u kyçën shokët e tij dhe rinia patriotike.
Me këtë rast u hartua një memorandum, me të cilin në emër të qindra mijë shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare me shtetin amë. Ai do të organizojë me shokët, Gafur Loku, Rushit Nesimi, Elmaz Ademi, Ajet Ademi e disa të tjerë, hyrjen e fshehtë në objektin e Gjimnazit të Tetovës, ku ruheshin armët për stërvitje paraushtarake të nxënësve. Për këtë vepër që zbuloi policia, Rafi Halili u arrestua për herë të tretë më 22 shtator të vitit 1972, duke i vërë prangat në banesën e tij në Kodrën e Trimave në Prishtinë, prej nga dërgohet për hetime të mëtejme në Shkup. Në një seancë urgjente gjyqësore në Shkup, Rafi Halili dënohet me 7 vjet burg, ndërsa Gafur Loku me 5 vjet, Rushit Nesimi me po aq, Elmaz Ademi me 4 vjet e gjashtë muaj, Ajet Ademi me 2 vjet e gjysmë etj. Një kohë arrestojnë edhe vëllanë, Vexhiun, të cilin e dënojnë me 5 muaj burg, për shkak të shpërndarjes së pamfleteve. Rufi Halili kishte lënë në shtëpi familjen e tij, ndaj së cilës policia bënte presion dhe keqtrajtonte nënën e tij, gruan me tre fëmijët, Rinën, Shqipërikuqen dhe Shqipedëshmorin.
Rafi Halili ka qëndruar burrërisht nëpër burgjet sllave, bashkë me vëllezërit e tij të idealeve, si Fazli Greiqevci, Shaban Shala, Metush Krasniqi, Rexhep Mala e shumë të tjerë. Betimi i Kushtrimit të Lirisë në vitin 1981 ishte: “Unë, shqiptar nga Shqipëria, i biri i tokës Shqipëri që më pagëzoi shqiptar, betohem para flamurit dhe kombit tim se do të veproj për lirinë dhe bashkimin e atdheut në një shtet, duke ia falë edhe jetën!”.
Pas përfundimit të dënimit, Rafi Halilin e dërgojnë në shërbim ushtarak në Slloveni, ku vazhdon ndjekja e nga organet ushtarake dhe, pas kthimit të tij në vendlindje, sërish vazhdon me veprimtarinë e tij ilegale. Organet e sigurimit duke mos mundur ta arrestojnë Rafiun, shpesh bastisin shtëpinë e tij dhe keqtrajtojnë familjarët. Në këtë periudhë, në fillim të qershorit të vitit 1982, për pak të ndodhte një tragjedi në shtëpinë e tij, kur ishte kthyer fshehurazi për t’u takuar me familjarët. Shërbimet sekrete ishin informuar që ai ishte kthyer në shtëpi, policia bën një bastisje të beftë, por ai nuk u dorëzua, duke u mbrojtur me një pistoletë përballë policëve të armatosur. Gjatë ballafaqimit, ai plagoset rëndë në kokë dhe në këmbë, për çka dërgohet në Spitalin e Tetovës, ku e përplasin në dysheme. Mjekimi i tij vazhdon për tri javë në klinikat e Shkupit, prej nga lëshohet në një gjendje të rëndë. Gjykata e Shkupit e dënon me dënim kapital – burg të përjetshëm, që më vonë të shndërrohet në 15 vjet burg. Në burgun e Idrizovës në Shkup, Rafi Halili kishte përjetuar një katrahurë të vërtetë, ku gardianët e keqtrajtonin në mënyrë më mizore.
Në fillim verë të vitit 1992, para se të lirohej nga burgu, shqiptarët dolën në protesta, duke kërkuar lirimin e tij. Në mars të vitit 2001, krismat në Kalanë e Tetovës i priti me entuziazëm, ndonëse shëndetligë, mori rrugën për t’iu bashkuar UÇK-së, që ishte ideali i tij jetësor. Së voni, në Universitetin e Tetovës ishte promovuar libri: “Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”, botuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës. (I.A.)