Këshilla për vozitje në kushte dimërore

KËSHILLA PËR VOZITJE NË KUSHTE DIMËRORE

Automjeti duhet të jetë i përgatitur mirë për dimër dhe gjatë vozitjes në kushte dimërore, kur rruga është jashtëzakonisht e rrëshqitshme, më e rëndësishmja është qetësia dhe menaxhimi i kujdesshëm i shoferit me komandat, sepse manovrat e papritura dhe të shpejta janë kundërproduktive.
Përpara se të hyni në komunikacion duhet ta bëni këtë si në vijim:
1. Uluni si duhet dhe siguroni shikueshmëri të mirë – Ulja e duhur është baza për vozitje të sigurt në çfarëdo kushtesh dhe është veçanërisht e rëndësishme kur janë sfiduese, si në dimër. Prandaj, mos u “shtrini” pas timonit, mos e ulni mbështetësen e sediljes që mezi të arrini te timoni, sepse në këtë pozicion nuk mund të reagoni as shpejt dhe as në mënyrë adekuate.
2. Mbështetësja e shpinës duhet të vendoset sa më drejtë të jetë e mundur dhe mjaft larg nga timoni, në mënyrë që kur të arrini majën e timonit, ajo të arrijë në kyçin e dorës suaj. Rregullojeni distancën midis sediljes dhe timonit në mënyrë që këmba e majtë të jetë pothuajse plotësisht e shtrirë kur do të shtypet pedalja e friksionit.
3. Krijoni rehati. Në dimër, për shkak të të ftohtit, zakonisht mbathim këpucë dhe rroba të rënda dhe të trasha. E gjithë kjo është në kundërshtim me parimet e vozitjes së sigurt. Është e rëndësishme të ndjeni automjetin sa më mirë që të jetë e mundur. Këpucët e forta të dimrit dhe rrobat e trasha i kufizojnë lëvizjet tuaja dhe shpejtësinë e reagimit në të njëjtën kohë, gjë që mund të jetë vendimtare për vozitjen e sigurt në dimër. Prandaj, sapo të ngrohet kabina e automjetit, jini të rehatshëm. Nëse vozitja është më e gjatë, mendoni të përdorni një palë këpucë të buta shtesë vetëm gjatë vozitjes.
4. Aksesorët – Përveç gërryeses së detyrueshme të akullit ose sprejit të shkrirjes së dritares, është e dobishme të vendosni në bagazh edhe disa aksesorë të tjerë që mund t’ju ndihmojnë në dimër (për shembull: doreza dhe batanije të vjetra në rast se keni nevojë të ndërroni gomë). Çadra është diçka që në çdo rast do të ishte e dobishme për ta pasur në automjet, dhe nëse dëshironi ta ruani pjesën e brendshme të automjetit tuaj, është e dobishme të blini qilima gome që mbledhin lagështinë që e fusim në automjet me këpucët.
5. Pastroni dritaren e përparme nga jashtë – Për shikueshmëri të mirë nga pozicioni i shoferit, fillimisht duhet ta pastroni dritaren e përparme që mund të jetë e ngrirë ose e mbuluar me borë në dimër. Dritarja e përparme duhet të pastrohet plotësisht, jo vetëm në mes.

6. Shkrijeni dritaren e përparme – Pasi ta keni pastruar plotësisht dritaren e përparme nga jashtë, meqë temperaturat e dimrit janë të ulëta dhe ka shumë lagështi në ajër dhe mjedis, kur do të futeni në automjet shpesh ndodh që të mjegullohet nga brenda. Jo vetëm për shkak të ngrohtësisë së trupit dhe ajrit tonë, por edhe për faktin se në dimër sjellim shumë lagështi në automjet me këpucët dhe rrobat tona. Prandaj, duhet të hiqet mjegulla përpara se të lëvizni. Pasi të ndizni motorin, ndizeni ventilimin më fuqishëm dhe drejtojeni drejt dritares së përparme. Është e dobishme të ndizni kondicionerin sado ftohtë të jetë, sepse kondicioneri e than ajrin.
7. Shkrijeni dritaren e pasme – Përpara se të vozitni, përveç sigurimit të shikueshmërisë së dritares së përparme, është e domosdoshme të bëni të njëjtën gjë edhe me dritaren e pasme. Prandaj, pas gërvishtjes së akullit ose borës nga dritarja e përparme, duhet të bëni të njëjtën gjë edhe me dritaren e pasme dhe dritaret anësore, si dhe me pasqyrat. Shumica e automjeteve moderne në dritaren e pasme dhe pasqyrat e jashtme kanë të instaluar ngrohës elektrikë që mundësojnë jo vetëm të shkrihen shpejt, por edhe të hiqet mjegulla. Kini parasysh se ato konsumojnë shumë energji elektrike, prandaj përdorni vetëm kur motori është i ndezur.

KRSKRR-ja bën thirrje: Për siguri më të madhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, zbatoni këshillat për vozitje në kushte dimërore.