Blinken shkoi në Kiev për t’u takuar me presidentin Zelensky

Vendosja e trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës do të thotë se presidenti Vlladimir Putin mund të nisë një sulm ndaj vendit fqinj në një kohë të afërt, paralajmëroi Sekretari i Shtetit Anthony Blinken.

Ai mbërriti sot në Kiev për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky.

Sekretari amerikan i Shtetit pritet të takohet me homologët e tij nga Britania, Franca dhe Gjermania nesër në Berlin. Vizita e tij në Ukrainë vjen dy ditë përpara takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Gjenevë në përpjekje për të lehtësuar tensionet rreth Ukrainës.

Në Kiev, diplomati amerikan deklaroi se shpresonte që Rusia do t’i përmbahej rrugës së diplomacisë dhe paqes.

“Ne e dimë se ka plane për të shtuar forcat përgjatë kufirit, por kjo mënyrë nënkupton se Putin po mendon të sulmojë vendin në një kohë të afërt, duke marrë veprime agresive ndaj Ukrainës”, u tha Blinken diplomatëve në ambasadën amerikane në Kiev. Rusia ka mohuar çdo zë se mund të sulmojë Ukrainën.