Aksidenti në Karposh, Prokuroria kërkon video incizimet nga vendngjarja

Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike-Shkup mbrëmë ka kryer hetim në vendin e aksidentit në afërsi të Qendrës Tregtare “Siti Moll” në Shkup ku humbi jetën një 24 vjeçare, ndërsa mbet i lënduar dhe një person tjetër.

Sipas të dhënave, deri tek aksidenti ka ardhur kur makina “Citroen C4”, drejtuar nga një person i moshës 22 vjeçe ka goditur dy këmbësorë, një djalë dhe një vajzë të moshës 24 vjeçe, të cilët në momentin tragjik po kalonin rrugën. Nga plagët e marra vajza ka ndërruar jetë në vendngjarje, derisa këmbësori tjetër ka marr vetëm lëndime trupore dhe është dërguar në spital për kurim.

Me urdhër të Prokurorit Publik, vozitësi i makinës menjëherë pas aksidentit është privuar nga liria dhe ndaluar në stacionin policor. Prokurori Publik ka dhënë urdhër për obduksion të trupit të viktimës, ndërsa ka urdhëruar të kryhet edhe ekspertizë ndaj vozitësit, për tu vërtetuar nëse ai ka drejtuar makinën nën ndikim të alkoolit apo substancave tjera të palejuara.

Është dhënë urdhër për sigurimin e video incizimeve nga vendi ku ndodhi aksidenti. Po merren dhe masa të tjera për zbardhjen e plotë të rastit, pas çka do të merret vendim për veprime të mëtejme.