Tjetër skandal me të dhënat private të qytetarëve shqiptarë! Abcnews.al mëson se pas publikimit të listës së pagave dhe të dhënave të tjera të qytetarëve, së fundmi në rrjet po qarkullon një databazë me targat e makinave shqiptarëve. Në databazë listohen targat bashkë me emrin të cili i përket automjeti që ka këtë numër identifikues.
Databaza që Abcnews.al ka parë është e ndarë në disa kolona ku listohen targat, modeli i automjetit, tipi, ngjyra e tij, numri i shasisë dhe emrin e personit që e ka në pronësi. Janë 530 452 qytetarë të cilëve u janë publikuar të dhënat e automjetit të regjistruar në emrin e tyre.
Prej dy ditësh në rrjetet e komunikimit online kanë qarkulluar dy databaza të tjera. Njëra prej tyre përmban listën e pagave të shqiptarëve për muajin Janar, ndërsa tjetra i përket muajit Prill. Kjo e fundit krahas pagave, zbulon edhe numrat e celularëve të qytetarëve.
Prokuroria ka nisur hetimet duke zbarkuar në disa institucione që kanë akses në këto databaza.