Sekuestrohen 1.6 tonë kokainë në Roterdam

Autoritetet holandeze sekuestruan një sasi prej 1.6 tonë kokainë të fshehur në disa ngarkesa me banane, kakao dhe çimento në portin e Roterdamit.

Droga me një vlerë të vlerësuar në rrugë prej 127 milionë euro, ishte fshehur në tre kontejnerë që mbërritën në portin më të madh të Evropës.

“Kontejneri i parë erdhi nga Ekuadori dhe ishte i ngarkuar me banane të destinuara për një kompani në Barendrecht, afër Roterdamit.  Droga në kontejnerin e dytë u gjet në një ngarkesë me kakao, gjithashtu nga Ekuadori, por që kishte kaluar tranzit nëpër Kolumbi dhe më pas kishte mbërritur përmes Antwerp. Ndërsa në kontejnerit e tretë me çimento u gjetën 5 çanta sportive plot me kokainë “, thanë prokurorët.

Konfiskimet janë rritur shumë këtë vit në portin e Roterdamit, i cili tashmë konsiderohet si një nga portat kryesore të Evropës për drogën, veçanërisht kokainën.

Autoritetet doganore holandeze thanë të martën se kishin konfiskuar një sasi rekord prej 68 tonësh kokainë këtë vit, nga 49 tonë në 2020.