Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka folur lidhur me vendimet e miratuara sot në Kuvendin Qendror të kësaj partie, duke njoftuar se partia e tyre hyn në një proces të brendshëm zgjedhor.
Sela ka theksuar se ai do të vazhdoj të mbetet kryetar i këtij subjekti politik deri në mbajtjen e kongresit partiak, të planifikuar për në pranverën e 2022 dhe për të cilin është formuar komision për organizimin e tij, përcjell INA.
“Dhënia e dorëheqjes sime në këtë situatë, do ta linte partinë pa kreun e partisë dhe një situatë e tillë do të ishte e disfavorshme, duke marrë para. Do të vazhdoj si kryetar partie deri në Kongresin e ardhshëm që do të mbahet nga pranvera”, theksoi Sela.
Sipas tij, deri në Kongresin e ardhshëm do të pushojnë së vepruari organet e tjera partiake që i zgjedh Kuvendi partiak, ndërsa do të mbeten vetëm kryetari dhe Kuvendi qendror.
“Pranvera do të na gjej me një kongres të mirë organizuar. Kemi nevojë që të hapemi si parti, të bëjmë reforma, kemi nevojë për njerëz të rinj. ASH është shtëpia që do të jetë e hapur për të gjithë”, theksoi Sela, duke i bërë thirrje shqiptarëve që ti bashkohen këtij subjekti politik.
Sela i ka quajtur improvim zhvillimet për formimin e një shumicë të re, por sipas tij, kjo shumicë që po tentohet të bëhet nuk ka legjitimitet.