-ads3-

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në ClickPlus në TV21 deklaroi se mospjesëmarrja e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës në Ballkanin e Hapur është e drejtë e tyre.

Shtoi se ata gjithashtu kanë të drejtë të kenë dilemat e tyre, po aq sa kanë të drejtë shtete pjesëmarrëse, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia të sqarohen për dobinë e kësaj iniciative rajonale.

“Kanë të drejtë edhe Kosova edhe Bosnja të kenë dilemat e tyre dhe ne kemi të drejtë të sqarohemi se nuk ka prapavijë në këtë iniciatëve dhe se e njëjta duhet të pritet të dëshmohet”, tha Osmani.

Sipas tij, suksesi i kësaj iniciative do të kuptohet në të ardhmen. Kjo do të përcaktojë edhe hapin e shteteve pjesëmarrëse dhe mospjesëmarrëse se a do të largohen apo do bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Unë këtë e quaj si pilot projekt, iniciativë në përpjekje që duhet të dëshmohet. Kanë të drejtë shtetet të mendohen, të pyesin kurse ne kemi të drejtë të sqarohemi. Nëse dëshmohet se është e suksesshme, do të hynë edhe të tjerët, nëse nuk është e suksesshme do të dalin edhe të tjerët”, sqaroi Osmani.