Ndalojnë lotët e të moshuarës nga Kërçova! Sigurohet banesë me qira për 70-vjeçaren


Bamirësit kërçovarë, pasi panë storjen në TV21 për këtë 70 vjeçare e cila rrezikonte të mbetet në rrugë, përmes OH “Kalliri i Mirësisë” siguruan qiranë e banesës për afro 2 vjet deri në gjeten e një zgjidhje afatgjate me ndërtimin e banesave sociale.

Me të dëgjuar lajmin për këtë nënë, Islam Kasa nga fshati Sërbicë ka bashkëpunuar me “Kallirin e Mirësisë” dhe ka dërguar mjete për pagesën e qirasë, ndërsa Organizata Humanitare do të vazhdojë ta ndihmojë me produkte ushqimore.

“Kjo është kontrata, që e kemi siguruar për banesën, kjo banesë është siguruar përmes një djali nga fshati Sërbicë që jeton në Amerikë, Islam Kasa ai kur ka dëgjuar rastin është paraqitur përmes organizatës tonë dhe ne e bëmë kontratën me pronarin e banesës dhe është e paguar derisa të sigurohet një banesë sociale”, tha Muhamed Mehmedi, kryetar i OH “Kalliri I Mirësisë”

Lotët të moshuarës pushuan, ajo e emocionuar falënderoi të gjithë ata që e kanë ndihmuar.

“Ju faleminderit shumë, Zoti jua ruajt familjen edhe atij që na ka ndihmuar Zoti ja ruajt familjen, fëmijët, Zoti i shtoftë, ju faleminderit edhe juve”, tha Samaetka Rushiti.

Ju kujtojmë se një muaj më parë TV21 solli storjen e kësaj 70-vjeçare e cila rrezikonte të mbete në rrugë pas problemeve që ishin shfaqur me vajzën e saj dhe ishte e pamundur që bashkëjetesa e tyre të vazhdonte. OH “Kalliri i Mirësisë” menjëherë pas strorjes lajmëroi ekipin tonë dhe gjetën një zgjidhje, ndërsa kjo organizatë bamirëse këto ditë ka bërë edhe shpërndarjen e drunjve për ngrohje për shumë familje sociale.